49 milionë dollarë nga MCC lajm i mirë për Kosovën, por çka do të përfitojnë qytetarët?

Ditë më parë Presidenti i vendit Hashim Thaçi udhëtoi për në Washington të ShBA-ve ku nënshkroi, në emër të Kosovës, marrëveshje 49 milionëshe me Agjencionin Federal Amerikan “Korporata e Sfidave të Mileniumit” (MCC). Përveç Thaçit, grandi 49 milionë dollarësh, nga MCC për Kosovën, po cilësohet si arritje për vendin edhe nga zyrtarë të tjerë shtetëror, shkruan Gazeta e Re.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është lajm i madh për Kosovën dhe se është “i bindur se me lajme të tilla konfirmojmë se të rinjtë tanë mund ta bëjnë shpresën në Kosovë, jo në vendet tjera”. Këto qëndrime Kryeministri Haradinaj i bëri në një konferencë për medie të mbajtur dje së bashku me koordinatorin nacional për Sfidat e Mijëvjeçarit Petrit Selimin dhe Sara Olmstet nga  MCC.

Përveç vijave të trasha, në këtë konferencë nuk u bënë të ditura projektet konkrete për të cilat do të shfrytëzohen këto fonde. Selimi tha se mjetet në vlerë prej 49 milionë dollarë do të dedikohen në fushën e energjisë efiçiente dhe sundimit të ligjit. Ai bëri të ditur se fondi do të fillojë të themelohet në fund të këtij viti.

Arritja e kësaj marrëveshjeje, sipas njohësit të çështjeve të ekonomisë Lulzim Beqiri, është lajm shumë i mirë si për institucionet ashtu edhe për qytetarët e vendit. Një marrëveshje e tillë, sipas tij, me një organizatë kaq të çmuar, e rrit optimizmin për përfitimet që do t’i kenë qytetarët kosovarë.

“Përfitimet nga ky grand do të jenë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga fuqizimi i gjyqësorit, luftimi i korrupsionit, nepotizmit e deri te projektet për krijimin e vendeve të reja të punës, ky projekt parasheh edhe stabilizimin me furnizim me energji elektrike pasi Kosova vuan shumë nga mos funksionimi i mirë i kapaciteteve energjetike. Dihet që mungesa e energjisë elektrike ka qenë njëri ndër shkaktarët kryesor të të bërit biznes në Kosovë. Ky program parasheh që të fuqizojë llogaridhënien institucionale karshi mirëqenies qytetare”, ka deklaruar Beqiri.

Edhe pse përfitimi i këtij grandi po cilësohet si arritje për vendin, vlera e tij do të mund të ishte shumë më e madhe, mirëpo, Kosovës iu ndërrua programi nga ai “Compact” në atë “Threshold”. Kosova ka mundur të fitonte 500 milionë dollar nga MCC por për shkak të mangësive në sundimin e ligjit dhe dobësive ekonomike, ajo mori donacion 49 milionë dollarë. Grandin prej 500 milionë dollarëve e përfitoi Nepali. Por, në konferencën e sotme nuk u përjashtua mundësia që në të ardhmen përfitimet e Kosovës nga MCC të kenë vlerë më të madhe. Sipas përfaqësueses së MCC Olmstet, ky grand është reflektim i punës së Qeverisë, për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të kontrolluar korrupsionin.

E koordinatori Selimi veç tjerash theksoi se programi “Treshold” është parapërgatitje për atë “Compact”. “Pra Kosova nëse arrin suksese dhe partneritet me MCC-në dhe qeverinë amerikane, absolutisht nëse arrin notat dhe vazhdon progresin, nuk e përjashton fare që të kualifikohet për mjete tjera investive. Ne kemi filluar me 49 milion që është një shumë e dyta më e madhe në historinë e MCC së. Por nuk e përjashtojmë se nëse shënohet progres i mëtutjeshëm, në sundimin e ligjit, liritë ekonomike dhe 20 nota të tjera që janë zyrtare që të vazhdojmë me investime të mëtutjeshme”, është shprehur  Selimi.

Sipas ekonomistit Zekirja Shabani, mjetet e përfituara nga MCC do të shfrytëzohen për programe që janë në zhvillim e sipër, mirëpo  ai mendon se shuma që ka arritur të marr Kosova nuk është premtuese për efekte të mëdha.

“Programet në të cilat është kualifikuar Kosova për fondin 49 milionë dollarësh kanë të bëjnë me transparencën dhe llogaridhënien e Qeverisë së Kosovës dhe reduktimin e shpenzimeve të energjisë. Pra, mjetet do të shkojnë në programe të cilat janë në zhvillim e sipër në forma të ndryshme dhe shuma që ka arritur të marr Kosova nuk është premtuese për efekte të mëdha. Megjithatë, me zbatimin e drejtë të politikave të mijëvjeçarit do të duhej të kishim një qeveri më transparente dhe llogaridhënëse për qytetarët e saj”, ka thënë Shabani për Gazeta e Re.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, nuk ka avancuar në sundim të ligjit, në lirinë ekonomike dhe nuk ka investuar mjaftueshëm në sektor tjerë të cilët do të mund të garantonin rezultate konkrete nga shpenzimi i këtyre mjeteve të MCC-së.

Kujtojmë se Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation – MCC) është agjenci qeveritare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e krijuar në vitin 2004 nga Kongresi Amerikan. Ajo vepron ndaras nga Departamenti i Shtetit dhe USAID-i, dhe bazohet në iniciativa për shtetet në zhvillim, ku vetëm ato shtete që plotësojnë kriteret kanë të drejtë për ndihmë. Kjo agjenci çdo vit ndanë grande për shtete me të ardhura të ulëta dhe mesatare për kokë banori, për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe zhdukjen e varfërisë./Yllnorë Shala/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet