30 qershori, dita D për Republikën e Shqipërisë

A ka marr tipare të një shteti totalitar Republika e Shqipërisë? Kjo pyetje po ngarend nga goja në gojë, vetëm një javë përpara 30 qershorit. Kjo datë, sipas të gjitha gjasave, do të jetë një sfidë e madhe për demokracinë në republikën shqiptare, e cila ka dekada që e ka lënë monizmin prapa – shkruan Gazeta e Re.

30 qershori mund të kthehet në arenë përleshjesh civile, po qe se mazhoranca në Shqipëri, këmbëngulë që ato të mbahen. Dhe ajo është duke këmbëngulur në këtë pikë. Sipas analistëve vendimi i Kolegjit Zgjedhor që ato të mos shtyhen, është tërësisht i manipuluar nga Qeveria e Edi Ramës. Me vendimin që zgjedhjet lokale të mbahen në fund të këtij muaji, kolegji e ka mohuar dekretin e Presidentit Ilir Meta, i cili disa ditë më parë i shfuqizoi ato.

Sipas analistit Fatos Lubonja, në rend të parë kjo është një provë më tepër se «detashmentet e prokurorisë, të policisë, siç provoi Dibra, parlamentarët, janë të gjithë të rreshtuar për të mbrojtur regjimin e krimit». Sipas tij është krijuar një iluzion se institucionet gjyqësore në Shqipëri, janë mbi partitë dhe veprojnë të pavarura, por ky akt e dëshmon të kundërtën.

Destabilizimi i Shqipërisë, nuk i shkon për shtati asnjë ane politike vendore atje, për më shumë, sipas analistit   Janusz Bugajski, përshkallëzimi i situatës, çon ujë në mullirin e Moskës:

«Ky program dërgon të rinj të mirë-arsimuar shqiptarë dhe nga vendet e tjera të Ballkani në Soçi të Rusisë, ku ata marrin një dozë të fortë indoktrinimi, të ngjashme me atë të kohëve sovjetike. Moska, gjithashtu, do të vazhdojë të kërkoje rrugë ndërhyrjeje në mediat shqiptare, duke llogaritur se ajo mund të ulë pro-amerikanizmin e popullit dhe angazhimet politike dhe ushtarake në NATO (të vendit). Pak arritje të Moskës në Ballkan mund të ishin më të mëdha sesa kthimi i Shqipërisë nga një aleat i besueshëm i Amerikës në një komb të paqëndrueshëm me konflikte të brendshme, në të cilin NATO nuk mund të ketë më besim dhe të cilin BE nuk e do.»

Rreziku është aq i madh sa që nga secili cep po bëhet thirrje për të qëndruar fort në mbrojtje të pluralizmit politik, e për rrjedhojë edhe të demokracisë.

«#edheune, Është shumë fatkeqe për kombin tonë qe u rikthye në një situate të tillë pas 30 vitesh pluralizëm. Të gjitha autokracitë apo tiranitë kanë ardhur në këtë mënyrë përmes zgjedhjesh të tilla dhe përmes indiferencës apo miratimit në heshtje të një pjese të popullit. Duhet të mos lejohet tani sepse nesër do të jetë shumë, shumë vonë për të gjithë. Nuk ka zgjedhje në 30 qershor, ai duhet të jetë pragu ku bien autokratët. Beteja kundër tiranisë nuk ndalet me burgje dhe kërcënime» – ka shkruar gazetari Fitim Zekthi.

«Në vitin 2013 Shqipëria ishte vendi më afër integrimit në BE se sa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sot jemi të fundit. Pra jemi prapa atyre që në 2013 ishim para: Serbisë, Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë… Një regres i tillë në një vend nuk mund të ndodhë as në raste katastrofash natyrore. Regres të tillë gjeopolitik prej vitit 2013 ka pas vetëm Siria…!» – shkroi ditë më parë historiani Ardian Muhaj, duke ia ngarkuar tërthorazi barrën e fajit garniturës aktuale e cila e sundon Shqipërinë.

Bujar Kapexhiu, artist i mirënjohur, ndërkaq, ka dalë hapur kundër këmbëngulësisë së pushtetit aktual për t’i mbajtur zgjedhjet lokale në fund të këtij muaji:

«Më 30 qershor unë do të shkoj në qendrën e votimit. Por do shkoj t’u tregoj të tjerëve që të mos votojnë. Do t’i pengoj ata në mënyrë që të dënohem 10 vjet që të mos shkoj jashtë shtetit. Kam vendosur të mos shkoj më jashtë shtetit. As më bën përshtypje fare. Jam kaq mirë këtu në Shqipëri».

Një nisme të tillë virtuale, i janë bashkuar shumë qytetarë, duke treguar kështu se frekuencat me pushtetin, assesi nuk përputhen./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet