3 vjet nga tentativa për grusht shteti – Marshim përkujtimor në Tiranë

Turqia shënon përvjetorin e tretë të tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO, ndërsa aktivitete të ndryshme përkujtimore janë mbajtur edhe në Shqipëri.

Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë u mbajt marshimi përkujtimor me pjesëmarrjen e përfaqësuese të institucioneve turke, përfaqësuesve të institucioneve të Shqipërisë, të organizatave të shoqërisë civile, të veteranëve të 15 Korrikut, familjarëve të dëshmorëve dhe qindra qytetareve.

Marshimi i “Fitores së Demokracisë” filloi në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë me shpalosjen e flamurit turk dhe flamurit shqiptar, ndërsa pjesëmarrësit kaluan nga Parku i Liqenit Artificial duke përfunduar me ceremonitë e përurimit të “Rrugës së Dëshmorëve” dhe ‘’Parkut të Demokracisë 15 Korriku”, projekte të cilat u restauruan nga agjencia turke për zhvillim dhe kooperim, TIKA.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës së tij në aktivitetin përkujtimor tha se tentativa tradhtare e FETO-s për grusht shteti, është aksioni më i përgjakshëm terrorist në historinë e Republikës së Turqisë.

“Ky aksion i përgjakshëm terrorist dhe kjo tentativë për grusht shteti dështuan sapo populli turk, i gatshëm për të dhënë gjakun dhe jetën e tij, u doli për zot rendit kushtetues, parlamentit dhe qeverisë së tij të ligjshme. Sot ne jemi së bashku me prindërit e dëshmorëve tanë të shenjtë dhe me veteranët, të cilët kanë ardhur nga Turqia në Shqipëri për këtë ceremoni”, tha ambasadori turk.

Ambasadori Yörük theksoi se FETO vazhdon praninë e saj në Shqipëri, kryesisht në arsim, çështjet e fesë dhe shëndetësi dhe shtoi se sa më shumë të thellohet prania e FETO-s në Shqipëri, aq më i madh do të jetë dëmi i saj ndaj qytetarëve.

“Anëtarët e FETO-s duke i fshehur qëllimet e tyre të vërteta, ashtu si kanceri, depërtojnë tinëzisht në të gjitha indet e vendeve ku ndodhen. Ata shtinë në dorë institucione të tilla si të sigurisë, gjyqësorit, ushtrisë, si dhe median dhe botën e biznesit. Me konceptet e tyre perverse ata përpiqen të kontrollojnë vendet ku ndodhen. Deri tani në 22 vende i është dhënë fund veprimtarisë së shkollave të lidhura me FETO-n dhe në 19 vende këto shkolla tashmë administrohen nga Fondacioni Turk Maarif. Edhe në Shqipëri shkollat e Fondacionit Maarif kanë filluar me sukses veprimtarinë e tyre”, theksoi ambasadori turk.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, gjatë fjalës së tij u shpreh se është kënaqësi e veçantë që në Tiranë përkujtohet 15 Korriku, jo vetëm nëpërmjet marshimit, por në shenjë të miqësisë mes dy shteteve.

“Kam ngulitur fort në memorien time momentin kur presidenti (Recep Tayyip Erdoğan) iu drejtua popullit turk. Kur vendoset në balancë demokracia karshi forcës vendimi i tij ishte i kthjellët dhe i qartë. Mësimi më i madh i asaj ditë për të gjithë historinë është sesa i dobët është tanku, avioni, helikopteri sesa e dobët duket forca përballë fuqisë së njerëzve. Unë besoj se nuk ka mësim më të fortë për demokracinë në të gjithë botën sesa ky moment”, tha Mazniku.

Bujar Kapexhiu, i cili përshëndeti në emër te organizatave të shoqërisë civile, theksoi se si rrallë herë në historinë politike të botës grushti i shtetit dështoi.

“Populli turk iu përgjigj menjëherë thirrjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan për rezistencë dhe si një trup i vetëm i vuri gjoksin tankeve. Nuk ka ndodhur kurrë në botë që të ndalet e keqja duke u bashkuar i madh dhe i vogël, me miliona njerëz pa dallim bindjesh politike me vetëmohim të rrallë, gati për të dhënë edhe jetën për të mbrojtur demokracinë. Heroizmi i popullit turk bëri që ata të kapen në flagrancë. Kjo ishte një fitore e madhe e popullit dhe një dështim i turpshëm i komplotit të përgatitur në fshehtësi prej dekadash nga lëvizja FETO dhe ithtarët e ideologjisë së saj të sëmurë”, tha ai.

Kapexhiu theksoi më tej “Është fatkeqësi që FETO, kjo organizatë e cila me metoda okulte prodhon individë që zbatojnë urdhrat e kupolës verbërisht i ka shtrirë tentakulat e saj në shumë vende të botës. Këto zgjatime të helmuara janë përhapur gjerësisht edhe në Shqipëri. Ne jemi plot shpresë që organizata gyleniste nuk do të jetë edhe më tej armiku që harrohet dhe shqiptarët do t’i refuzojnë me vendosmëri ushqimet e saj plot helm. Populli shqiptar i lidhur si vëllai me vëllanë me popullin turk, do të jetë përherë përkrah tij në përpjekjet e përbashkëta për liri, demokraci dhe prosperitet”.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Kreshnik Çollaku, i cili tha se Turqia është një vend mik, vëlla dhe një partner i jashtëzakonshëm strategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, dje, sot dhe “besoj për sa kohë historia do t’i lë këto vende të kenë jetë dhe ekzistencë”.

“Kujtoj njerëzit të kapur për krah dhe rreshtuar përballë tankeve për lirinë, dinjitetin njerëzor dhe demokracinë e tyre. Atë ditë populli turk e bëri detyrën e vet karshi lirisë dhe vlerave të tij. Çdo qytetar i atij vendi (Turqisë) sot duhet të ndihet krenar. Shembulli i këtyre 251 dëshmorëve qoftë një frymëzim dhe një forcë për çdo popull dhe çdo individ që çdo ditë të ngrihet dhe luftojë për lirinë e tij, që kur njerëzimi eksiton mbi tokë kjo është vetmja rrugë për të mbrojtur dinjitetin, lirinë, dhe demokracinë”, tha Çollaku.

Në nderim të dëshmorëve të 15 Korrikut, në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë janë mbjellë 251 rrape që janë sjellë nga Turqia me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Pyjeve të Turqisë, ndërsa në këtë park është inauguruar edhe rruga emërtuar “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut”. Ndërkohë, në parkun e ndërtuar më parë nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), është vendosur edhe pllaka me emrat e 251 dëshmorëve të 15 Korrikut.

Turqia më 15 korrik shënon përvjetorin e tretë të tentativës për grusht shteti organizuar nga organizata terroriste FETO, gjatë së cilës u martirizuan 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.

Një itinerar i ngjashëm u mbajt edhe në qytetin e Shkodrës. Me pjesëmarrjen e ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësuesve të tjerë të institucioneve turke, përfaqësuesve të institucioneve lokale, si dhe qytetarëve u zhvilluan një mori aktivitetesh me rastin e 15 korrikut. Për të pranishmit u shfaqën edhe dokumentarë për 15 Korrikun dhe u hap edhe ekspozita me fotografi të Anadolu Agency me momentet gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti./AA
Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet