14-vjeçari sirian që kujdeset për familjen

“Jam duke punuar për të fituar para. Jam i vetëdijshëm se kam një barrë të madhe, por marrë parasysh se kjo barrë është shumë e rëndë për mua si fëmijë, unë duhet të kujdesem për ata”, shprehet 14-vjeçari sirian.

I detyruar të rritet pa pasur mundësi të jetojë fëmijërinë e tij në paqe, 14-vjeçari Muhammad Zaydawi kujdeset për familjen e tij duke punuar si auto-mekanik në Sirinë e shkatërruar nga lufta.

Muhammadi jetonte në qytetin Duma në verilindje të Damaskut para se familja e tij të detyrohej të largohej nga atje kur sulmet u rritën. Duke folur për Anadolu Agency (AA), ai thekson se në Duma ndiqnin mësimet dhe studionin, por pasi babai i tij u plagos u evakuuan në qytetin Al-Bab.

Një mik i ngushtë i familjes së tij, i cili po ashtu u detyrua të shpërngulet në Al-Bab, punësoi Muhammadin në garazhin e tij për ta ndihmuar atë.

“Babai im nuk mund të punojë, prandaj kërkoja një punë. Miku i babait tim riparon automjetet. Babai im foli me të dhe kështu fillova të punoj atje. Dal nga shtëpia në orën 9 të mëngjesit dhe kthehem në orën 10 në mbrëmje. Ndonjëherë shkoj në shtëpi vetëm, ndonjëherë më dërgon shefi im”, shpjegon Muhammadi.

Përderisa konflikti, zhvendosja dhe dhuna janë bërë pjesë e jetës së përditshme në Siri, shumë fëmijë janë detyruar të marrin rolin e kujdestarëve të familjeve të tyre.

“Ëndrra ime është që të rritem dhe të bëhem një inxhinier si xhaxhai im. Por, për shkak të kushteve nuk munda të studioj. Erdhëm këtu, punoj për atë burrë. I lutem Allahut që të mësoj këtë profesion shumë mirë që të jem në gjendje të hap garazhin tim”, thotë Muhammadi.

Mbi supet e tyre një përgjegjësi

“Kur shkoj në mëngjes, shoh djemtë e moshës sime duke shkuar në shkollë me çanta. Kujtoj kohët kur unë shkoja në shkollë dhe dëshiroj që lufta të përfundojë. Shpresoj që babai im të rikthejë shëndetin e tij dhe uroj që të mund të kthehem në shkollë”, thotë Muhammadi.

Muhammadi është fëmija më i madh nga gjashtë fëmijët e tjerë.

“Jam duke punuar për të fituar para. I plotësoj nevojat e tyre nëse kanë ndonjë. Jam i vetëdijshëm se kam një barrë të madhe, por pa marrë parasysh se kjo barrë është shumë e rëndë për mua si fëmijë, unë duhet të kujdesem për ata”, shprehet Muhammadi.

Efekti i konfliktit

Duke iu referuar një kujtimi të cilin nuk mund ta harronte, Muhammadi foli për një sulm ajror ku ishte vet dëshmitar në qytetin e tij.

“Ka një histori që nuk më del nga mendja. Në Duma, kishte një dyqan ku unë kaloja kohën. Erdhi një avion dhe goditi. Ne dolëm jashtë dhe pamë tymin. Mendova se goditi shtëpinë time, por pashë se avioni goditi fqinjët tanë. E gjithë familja ime vrapoi drejt shtëpisë së fqinjëve dhe gjetëm një grua të plagosur”, shpjegon ai.

Siria ka mbetur e mbyllur nga një konflikt shkatërrues që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestuesit pro-demokratikë. Që atëherë, sipas shifrave të OKB-së, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë janë zhvendosur.

Përderisa konflikti vazhdon, fëmijët ndikohen jo vetëm nga ato që shohin, por edhe nga rrethanat e këqija në të cilat jetojnë. Përveç kësaj, zhvendosja e vazhdueshme në vend shkakton parregullsi në jetën e fëmijëve, gjë që veçanërisht ndikon në qasjen e tyre në arsim.

Sipas një raporti të UNICEF-it në vitin 2018, rreth 5.6 milionë fëmijë sirianë u prekën nga konflikti në vazhdim dhe mbi 2.1 milionë pezulluan arsimin, ndërkohë që disa prej tyre kurrë nuk e kanë parë brendësinë e një klase.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet