11.500 të zhvendosur si pasojë e përmbytjeve në Çad

IOM tha se përmbytjet shtojnë një shtresë tjetër të prekshmërisë ndaj popullsisë tashmë të prekur nga përmbytjet e mëdha të gushtit të kaluar

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM), që nga fundi i tetorit rreth 11.500 persona janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjeve në kryeqytetin N’Djamena të Çadit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, IOM tha se përmbytjet kanë shkaktuar ngritjen e ujërave dhe çuan në daljen nga shtrati të lumit Chari, një lumë 1.400 kilometra i gjatë që rrjedh përmes Çadit dhe Republikës së Afrikës Qendrore në liqenin Çad.

IOM tha se përmbytjet shtojnë një shtresë tjetër të prekshmërisë ndaj popullsisë tashmë të prekur nga përmbytjet e mëdha të gushtit të kaluar.

“Tani është urgjente që të shkallëzojmë përpjekjet për të siguruar shpejt strehim të përshtatshëm dhe mbështetje të përgjigjes emergjente për viktimat e fatkeqësisë, pasi ekziston shqetësim për përhapjen e pandemisë COVID-19 në hapësira të ngushta të jetesës, si dhe për rrezikun e sëmundjeve të transmetuara nga uji që janë endemike në rajon”, tha Anne Schaefer, shefe e misionit të IOM-it në Çad.

Sipas IOM-it, sezoni ekstrem i shirave të vitit 2020, që vazhdon në jug të vendit, po çon drejt një rritjeje të niveleve të ujit.

“Në rrjedhën e sipërme, rreziku po ashtu po rritet në provincën Lac, ku mbi 393 mijë njerëz aktualisht janë zhvendosur si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimit të klimës dhe pasigurisë nga veprimet e Boko Haram-it dhe veprimeve të tjera të grupit të armatosur”, tha IOM.

Kategoritë
BotaLajme