​Kosova po ndjek me shqetësim ngjarjet në Trier të Gjermanisë

Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, ka shprehur keqardhjen e saj të thellë për ngjarjen që tronditi sot qytetin gjerman Trier, ku një makinë teksa po lëvizte me shpejtësi të madhe, goditi disa këmbësorë, duke shkaktuar disa viktima dhe të lënduar.

“Tronditëse pamjet në qytetin Trier të Gjermanisë, të shkaktuara nga makina që goditi këmbësorët. Kosova po ndjek me shumë shqetësim ngjarjet në Gjermani duke ndarë dhimbjen me familjet e prekura dhe duke shpresuar të mos shtohet numri i viktimave”, tha Haradinaj-Stublla.

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Frankfurt ka kontaktuar me autoritetet policore në Trier dhe deri në këtë çast nuk ka informata për ndonjë qytetar të Kosovës të lënduar, njofton MPJD.

Një makinë ka hyrë në një zonë këmbësorësh në qytetin perëndimor të Trier, duke lënë të vdekur katër persona, përfshirë një foshnjë nëntë muajsh, tha policia gjermane.

Shoferi, një 51 vjeçar vendas, është arrestuar. Prokurori tha se i dyshuari kishte pirë një sasi të konsiderueshme alkooli.

Viktimat ishin dy gra, të moshës 25 dhe 73 vjeç, një burrë 45 vjeç dhe një foshnjë nëntë muajsh.

Indikacionet fillestare “sugjerojnë që problemet psikiatrike ndoshta kanë luajtur një rol”, u tha gazetarëve prokurori Peter Fritzen.

Burri nuk kishte adresë fikse dhe jetonte në veturë, të cilën e kishte huazuar.

Kategoritë
LajmeVendi