​Deputetët kritikojnë Hotin për keq-menaxhim të situatës me pandeminë

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Avdulla Hotin për keq-menaxhim të situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit në vend.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka tha se ka mungesë totale të menaxhimit me Covid-19 në të gjitha drejtimet.

Qeverinë Hoti e ka quajtur të papërgjegjshme e cila sipas tij nuk ka mbajtur premtimet e dhëna sa i përket testeve masive.

Uka: Jemi vendi me menaxhimin më skandaloz të pandemisë

“Jemi vendi me menaxhimin më skandaloz të pandemisë dhe këtë e konfirmon jo vetëm numri i vogël i testimeve, numri I madh I rasteve por mbi të gjitha numri i madh i vdekjeve, andaj thërrsni mendjes”, tha ai.

E deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se qeveria po qëndron komode karshi situatës alarmante me Covid-19.

Haxhiu: Vdekjet nuk janë numra, janë jetë njerëzish

“Po flasim për jetë njerëzit, nuk janë numra, 1008 vdekje nuk janë numra, janë jetë njerëzish, nuk guxohet të rrihet me këtë komoditet çfarë e keni ju, sikur po ndodh Covid në një planet tjetër, lëri shifrat e Evropës së kërkah nuk jemi”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Hoti tha se deputetët po përdorin situatën me pandeminë për qëllime politike.

Hoti: Po e përdorni situatën për qëllimet tuaja politike

“Po përdorni situatën për qëllime të juaja politike, unë tërhiqem prej këtij lloj debati. Ne e kemi një fond prej 182 milionë euro në dispozicion, që nuk është i shpërndarë, është pjesë e buxhetit për vitin 2021, së shpejti do ta diskutoni buxhetin e 2021 këtu në Kuvend, e diskutojmë së bashku si mund ta shpërndajmë më së miri”, tha ai.

Seanca ende po vazhdon, ku janë paraparë 14 pika të rendit të ditës

Kategoritë
LajmeVendi