​Daka: 40.51% e votuesve kanë ushtruar të drejtën e votës në Podujevë

Në Komunën e Podujevës kanë votuar sot 40% e votuesve ndërsa në veri të Mitrovicës 39.14%, ka njoftuar kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka derisa njoftoi për mbylljen e të gjitha vendvotimeve.

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 40.51% e votuesve 35 mijë e 400 nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 40 mijë e 162 votues apo 47.7%. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, kanë votuar 39.14% e votuesve apo 9 mijë e 124 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 269 votues apo 37.9%”, tha Daka.

Ajo tha se procesi në përgjithësi ka shkuar mirë dhe pa probleme të theksuara.

“Ju njoftoj se duke u bazuar në të dhënat të cilat i kemi pranuar nga terreni, procesi i sotëm zgjedhor në këto dy komuna është zhvilluar pa probleme. Këtë e tregon më së miri edhe numri i vogël i rasteve që janë paraqitur në Dhomën Operative të KQZ-së, vetëm 6 gjatë gjithë ditës, e të cilat janë raste që nuk cenojnë integritetin e zgjedhjeve”, tha Daka.

Ajo ka falënderuar qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme në kohë pandemie, morën pjesë në votime dhe siç tha ajo ndihmuan KQZ-në në zbatimin e masave mbrojtëse të institucioneve shëndetësore.

Daka njoftoi se konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet sapo të pranojnë rezultatet preliminare nga këto komuna.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi