​12 persona të arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim me subvencione, sekuestrohen 400 mijë euro

12 persona janë arrestuar sot në aksionin policor që është zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa komuna të Kosovës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të subvencioneve, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje e dhënie ryshfeti. Në këtë aksion janë sekuestruar rreth 400 mijë euro, të cilat janë gjetur në shtëpitë e të arrestuarve.

Aksioni është zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në komunën e Istogut, Gjilanit, Lipjan dhe në Pejë.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, tha se nga muaji janar ka filluar grumbullimi i informacioneve dhe mbledhja e provave për këtë rast që rezultoi me arrestimin e 12 personave.

Lumezi tha se në bazë të provave dhe informacioneve që i kanë, aksioni do të zhvillohet edhe në ditët e ardhshme, me qëllim që të sigurojnë prova të fuqishme për të zhvilluar hetimet dhe për të pasur një aktakuzë të suksesshme.

Lumezi: Janë arrestuar 12 persona, 10 janë persona zyrtarë dhe dy qytetarë të tjerë

 

“Sot në orët e mëngjesit në bashkëpunim me Inspektoratin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kemi bërë bastisjen e këtyre lokaleve ku gjatë bastisjes edhe e kemi arsyetuar kërkesën për bastisje dhe gjatë këtyre veprimeve kemi sekuestruar një shumë të madhe të të hollave, kemi sekuestruar vetura, kompjuterë, llaptop, telefona, të cilët do të na shërbejnë në procedurën e mëvonshme penale për të pasur edhe një aktakuzë apo edhe një të suksesshëm. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 12 persona, 10 janë persona zyrtarë dhe dy qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës të cilët i kanë ndihmuar këtyre personave në forma të ndryshme. Të njëjtit dyshohen për disa vepra penale, për keqpërdorim të subvencioneve, shpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, për marrje dhe dhënie të ryshfetit”, tha ai.

Drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Nazmi Sahiti, bëri të ditur se në shtëpitë e të arrestuarve janë gjetur rreth 400 mijë euro.

Sahiti: Janë konfiskuar një shumë e madhe e parave diku rreth 400 mijë euro

 

“Nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit janë konfiskuar një shumë e madhe e parave diku rreth 400 mijë euro, saktësisht ende nuk e dimë, por përafërsisht aty sillet. Në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë është Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë institucion i cili është bastisur dhe disa komuna siç është Istogu, Gjilani, Lipjani dhe Peja. Paratë janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve, ato janë përmendur derisa janë zhvilluar masat e fshehta. Paratë dyshohet se janë fituar nga veprat penale marrje e ryshfetit dhe dhënie e ryshfetit”, tha ai.

Mungesën e prokurorit të rastit Rafet Halili në konferencën e sotme e ka arsyetuar Kryeprokurori i Prishtinës Kujtim Munishi, i cili tha se të gjitha veprimet janë marrë në koordinim me të.

Munishi: Prokurori i rastit është prokurori Rafet Halili

 

“Prokurori i rastit është prokurori Rafet Halili, mirëpo të gjitha veprimet i ka marrë në koordinim me mua prej momentit kur ne jemi njoftuar për veprën penale dhe të gjitha masat e fshehta në koordinim me mua dhe gjykatën”, deklaroi Munishi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi