​Zemaj: Në dy javët e fundit ka stagnim të virusit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19.

Ai tha se varësisht nga numërimi i rasteve do të marrin edhe masa, teksa shqetësues mbetet numri i rasteve që kanë pësuar me fatalitet.

“Me trendin e tanishëm të rasteve pozitive dhe ngarkesën e spitaleve dhe QKUK nënkuptohen se do të jenë në fuqi masat e ndërmarra në nëntor. Situata analizohet dhe varësisht nga projeksionet që kemi bërë në dy javët e fundit kemi stagnim të virusit. Masat duhet të vazhdojnë me një intensifikim të shtuar për të ndikuar në ulje të lakores së infektimit. Shqetësuese është numri i rasteve të të vdekurve. Kemi rënie të rasteve pozitive më pak se 15 për qind”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit, Albena Reshitaj u interesuar të di për furnizimin me oksigjen të spitaleve dhe klinikave në QKUK. E Zemaj dha sqarime duke thënë se kanë pasur vështirësi për shkak të numrit të madh të pacienteve.

“Lirisht mund të them se oksigjeni ka qenë sfidues dhe menaxhimi me oksigjen për shkak të numrit të madh të pacienteve tashmë i kemi dy kontrata të lidhura”, tha Zemaj.

Zemaj ka folur edhe për sigurimin e vaksinimit antiCOVID, ku tha se më 7 dhjetor ka nënshkruar aplikimin me GAVI-COVAX.

“COVAX ka pranuar aplikimin po në të njëjtën ditë kur kemi aplikuar. Kjo aleancë ku bënë pjesë OBSH, UNICEF e organizata të tjera ka vendosur Kosovën në mesin e vendeve ku 20 për qind do të jetë falas. Koha se kur do jetë vaksina në Kosovë varet nga COVAX. Pjesën tjetër duhet ta siguroj vetë shteti. IKSHP po punon për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinave në të gjitha komunat”, tha ai

Kategoritë
LajmeVendi