​Zemaj diskuton me kryetarin Lutfi Haziri për menaxhimin e gjendjes me pandemi

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj deklaroi sot se kanë mobilizuar të gjitha kapacitetet shëndetësore në mënyrë që të luftohet pandemia me koronavirus, dhe njëherësh nga kjo të përfitojnë edhe komunat në aspektin buxhetor.

Zemaj gjatë vizitës në komunën e Gjilanit ka falënderuar shtabin emergjent të komunës, të cilët që nga paraqitja e rasteve të para në këtë komunë kanë qenë në gatishmëri për të menaxhuar gjendjen me pandeminë.

Zemaj: Hapat tanë janë progresivë
“Angazhimi ynë permanent është që të kemi në kontroll situatën e menaxhimit të pandemisë dhe luftimit të saj. Por, mbi të gjitha kemi ardhur sot që ta shohim për së afërmi gjendjen aktuale të shëndetësisë publike në rajonin e Gjilanit, konkretisht në komunën këtu ku jemi sot… Hapat tonë janë progresivë, po mundohemi që të mobilizojmë të gjitha kapacitetet shëndetësore që i ka Republika e Kosovës dhe në këtë aspekt të përfitojë edhe Gjilani në aspektin buxhetor të përkrahjes”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se e ka njoftuar në detaje ministrin Zemaj për gjendjen me COVID-19 në komunën që ai udhëheq.

Haziri: Ne jemi koordinuar dhe e njoftova ministrin në detaje

“Unë e njoftova detajisht sot në takimin me emergjencat civile të komunës së Gjilanit dhe me policinë e shtetit, komunitetet fetare dhe institucionet e tjera. Si Kryqi i Kuq apo edhe institucionet civile që punojnë 24 orë, shtatë ditë, në koordinimin e komunës për të parandaluar. Gjithçka që shkon në funksion të organizimit, mbikëqyrjes, mbrojtjes dhe shëndetit publik. Ne jemi koordinuar dhe e njoftova ministrin në detaje”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë ditës i shoqëruar edhe nga drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka vizituar spitalin regjional të Gjilanit

Kategoritë
LajmeVendi