​Vota e diasporës, LVV dorëzon ankesë në PZAP

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot ankesë në PZAP në lidhje me vendimin e KQZ-së për verifikimin e aplikacioneve të mërgatës për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 në mbledhjen e mbajtur më të hënën.

Edhe pse një vendim i tillë është votuar nga përfaqesuesit e LVV në KQZ, nga ky subjekt politik thonë se përafqësueit e tyre janë pajtuar që aplikimi për regjistrim të verifikohet vetëm për rastet me mospërputhje sipas procedurave, kur nga një email adrese dërgohen shumë aplikacione me mbiemra të ndryshëm dhe numër të njëjtë telefoni.

“Përfaqësuesit tanë për asnjë moment nuk kanë votuar që të verifikohen të gjitha aplikimet e bashkatdhetarëve dhe aq më pak që ato të anulohen përmes një thirrjeje të vetme nga KQZ-ja. Kjo teknikisht nuk është e mundshme dhe ligjërisht është e ndaluar. Por, pavarësisht se dëmi më i madh është evituar, e i cili vinte përmes komplikimeve dhe kufizimeve që përdorimi i email adresave personale dhe ndarja e zarfeve sillte, ne sërish konsiderojmë që edhe me këtë vendim cenohet e drejta e bashkatdhetarëve tanë për të votuar. Andaj, në lidhje me të Lëvizja Vetëvendosje tashmë iu është drejtuar PZAP-së”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Lëvizja Vetëvendosje sqaron se KQZ duhet të hartojë një Udhëzim Administrativ, i cili rregullon mënyrën e hollësishme të verifikimit. Ky udhëzim duhet të përjashtojë çdo mundësi të largimit të votuesve nga lista e votimit përmes një telefonate. Me këtë udhëzim, Sekretariati i KQZ-së duhet të udhëzohet t’i raportojë KQZ-së për të gjitha rastet me mospërputhje veç e veç që janë verifikuar dhe për hapat e verifikimit të ndërmarrë. Ky udhëzim administrativ duhet të bëhet publik menjëherë pas aprovimit.

Mul Desku nga PZAP në një prononcim për KosovaPress ka thënë se deri tani zyrtarisht janë dorëzuar dy ankesa në këtë panel në lidhje me verifikimin e aplikacioneve për votim të mërgatës. Një ankesë është nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një nga organizata Germin.

Kategoritë
LajmeVendi