​Vërshimet nga shiu, Hoti paralajmëron angazhimin e FSK-së

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se pas gjendjes së krijuar nga vërshimet Qendra e Situatave është në mbikëqyrje të zhvillimeve për shkak të reshjeve të shumta të shiut, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, me shtabet lokale dhe me të gjitha institucionet e tjera të përfshira.

Ndërsa ka paralajmëruar edhe angazhimin e FSK-së nëse shihet e nevojshme.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka ftuar qytetarët të kufizojnë lëvizjet në rrugë për shkak të vërshimeve që ka në disa akse rrugore, si dhe rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve në disa lokacione.

Ky është postimi i plotë i tij në Facebook

GJENDJA NGA RESHJET E SHIUT

Qendra e Situatave është në mbikëqyrje të zhvillimeve për shkak të reshjeve të shumta të shiut, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, me shtabet lokale dhe me të gjitha institucionet e tjera të përfshira. Varësisht nga situata, mund të kërkohet edhe angazhimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas të dhënave nga Qendrat Operative:

• Në Komunën e Drenasit – uji ka depërtuar nëpër oborre të shtëpive në Poklek, Krajkovë, Tërstenik, Shtrumbullovë, Komoran dhe në qendrën e qytetit.

• Në Komunën e Prizrenit – ka pasur përmbytje të disa bodrume të shtëpive në lagjen Arbana.

• Në Komunën e Malishevës – janë bllokuar disa rrugë afër QMF-së, është rritur niveli i lumit Mirushai dhe janë vërshuar rrugët që qojnë në fshatrat Bajë, Marali dhe Maxharrë. Ekipet reaguese janë në vend ngjarje.

• Në Komunën e Rahovecit – janë vërshuar disa rrugë poshtë qytetit dhe në fshatrat Gexhe dhe Kramovik.

• Në Komunën e Pejës – ka vështirësi në pikë kalimin kufitar “Kullë” dhe në aksin rrugor Pejë–Rugovë, ndërkaq rruga për në fshatin Kuqishtë ka vështirësi të mëdha kalimi.

• Në Komunën e Klinës – nga të reshurat e shiut ka filluar me shpejtësi rritja e nivelit të lumenjve, në disa fshatra kanë filluar të vërshohen tokat bujqësore, në fshatin Ozdrim janë rrezikuar dy familje nga depërtimi i ujit në shtëpi.

• Në Komunën e Gjakovës – ka pasur disa pengesa në rrugët e qytetit nga vërshimet.

• Në Komunën e Junikut – ka pasur bllokim rruge në tri lokacione në fshatin Gjocaj si pasojë e rrëshqitjes së dheut.

• Në regjionin e Pejës – janë raportuar një numër i madh i defekteve në rrjetin e energjisë elektrike.

Ekipet janë duke intervenuar sipas nevojave dhe mundësive për intervenim.

Ftohen qytetarët të kufizojnë lëvizjet në rrugë për shkak të vërshimeve që ka në disa akse rrugore, si dhe rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve në disa lokacione.

Kategoritë
LajmeVendi