​Stinori më i mirë pas luftës, ato çka ndodhën jashtë fushave një zhgënjim i madh

Javën e kaluar është mbyllur sezoni 2019-2020 në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra e Dritës ka arritur të shpallet kampion, ndërsa pjesëmarrjen në parakualifikimet për Europa League i ka siguruar edhe Gjilani duke e renditur e dyta në tabelë, duke lënë pas skuadrën e Ballkanit e cila pas humbjes në finale të Kupës nga Prishtina, mbetet jashtë Evropës këtë sezon.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së futbollit të Kosovës, Eroll Salihu për KosovaPress e ka cilësuar këtë stinor si ndër më të mirët, mirëpo ato se çfarë ndodhën jashtë fushave sipas tij është zhgënjimi më i madh që ka parë ndonjëherë.

“Unë po e them, si sekretar i përgjithshëm, por edhe si ish-futbollistë si trajner për mua ka qenë për kundër faktit se lojët më të mira janë treguar, është një ndërrim i gjeneratave. Ata djemtë me i pa, atë ngarkesën e shikuesve dhe ndoshta për këtë arsye ata kanë luajtur mirë pa ngarkesë, kanë qenë të jashtëzakonshëm. Por të gjitha tjerat se çfarë kanë ndodhur në futboll është zhgënjimi më i madh prej kur jam në futboll”, tha Salihu.

Njohësi i mirë i futbollit kosovar, Ardian Llumnica u shpreh se ato ndeshjet që janë quajtur si ndeshje miqësore nuk kanë mundur të ulin vlerën e këtij kampionati. Sipas tij nëse vazhdohet kështu, kampionati kosovar do të jetë një ndër kampionatet më interesant në rajon.

“Atëherë kampionati mendoj që ka qenë shumë produktiv, ka qenë shumë cilësor. Natyrisht që shumë ndeshje që po cilësohen kushtimisht si miqësore, nuk munden me humb atë rejtingun e mirë që ka kampionati sepse në fund të kampionatit kemi pa disa ndeshje që assesi nuk kanë qenë të kalkulueshme dhe e kanë ruajtur imazhin edhe rejtingun e garës. Kështu që mendoj se nëse vazhdojmë me këtë ritëm, me këtë ngritje të nivelit dhe të cilësisë mendoj që brenda tre katër vitesh do të bëhemi një nga kampionatet më faktorë në rajon”, deklaroi Llumnica.

Se ishte kampionati më i mirë pas luftës, e potencoi edhe analisti i mirënjohur Erdin Hashani, i cili gjithashtu shtoi se investimet e mëdha që po bëhen çdo herë e më shumë në futbollin kosovar po e ngrisin edhe cilësinë e Superligës.

“Mendoj që është kampionati pas luftës më interesanti që ka qenë. E ceka edhe më herët kanë zakonisht në kampionatet e kaluara kanë luftuar dy skuadra për titull, ndërsa deri tash në xhiron e parafundit nuk është ditur se kush do të shpallet kampion, duke e ditur se kanë marrë pjesë katër skuadra. Domethënë diferenca e pikëve ka qenë shumë shumë e vogël… Unë mendoj që çdo herë kampionati në Kosovë ka me ardh, e ka me qenë shumë më interesant për shkak se tash investimet janë shumë më të mëdhaja edhe kjo është ajo që po e bënë kampionatin e Kosovës secilën herë më interesant. Prej pas lufte deri sot është kampionati më interesant që ka ndodh ndonjëherë në Kosovë”, u shpreh Hashani.

Kujtojmë që ky është sezoni i 21-të i zhvilluar pas luftës, ndërsa skuadra më e trofeshme që nga paslufta është Prishtina, skuadra kjo e cila në këto 21 edicione kanë arritur të dalin shtatë herë kampion.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet