​Shpend Ahmeti premton funksionalizimin e Pallatit të Rinisë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është zotuar se gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës Pallati i Rinisë dhe Sporteve do të jetë plotësisht funksional, në shërbim të qytetarëve dhe klubeve sportive.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite që bëri në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, i cili deri tani ka qenë nën menaxhimin e AKP-së.

Duke përkujtuar se pallati është ndërtuar me kontribut të qytetarëve të Prishtinës, Ahmeti tha se sa më parë duhet të përfundojnë procedurat për kthimin e tij pallati nën pronësinë e komunës.

“Sapo ta marrim nën menaxhim, do t’i nisim investimet, ashtu që ta kthejmë këtë hapësirë në qendër rekreative-sportive, përmes projekteve që tashmë i kemi në program. Kemi biseduar me Komisionin Evropian, dhe ata janë të gatshëm që ta konsiderojnë investimin për renovimin e sallës së djegur të këtij pallati. Përveç kësaj, ne do ta përfundojmë projektin e plotë të këtij Pallati, do ta lidhim pllatonë e këtij objekti me pllatonë e “Grandit”, do ta ndërtojmë pishinën olimpike, si dhe do t’i bëjmë investimet e duhura në pjesën komerciale të pallatit”, tha Ahmeti./kp/

 

Kategoritë
LajmeVendiZgjedhjet Lokale 2017

Të ngjajshmet