​SHBA do të tërheqë 12 mijë ushtarë nga Gjermania

SHBA do të tërheqë më shumë trupa sesa pritej nga Gjermania.

Sipas sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper, trupat e SHBA-së në Evropë do të zvogëlohen në mënyrë të konsiderueshme.

Sidomos në Gjermani do të ketë një reduktim të madh. Janë gati 12 mijë trupat amerikane që do të tërhiqen nga gjermania për tu zhvendosur në Belgjikë dhe Itali.

Kjo zhvendosje strategjike, sipas Pentagonit, do të ndihmojë në frenimin e Rusisë. Mark Esper, tha se ripozicionimi i trupave do të forcojë NATO-n, do të rrisë bllokadën kundër Rusisë dhe do të përmirësojë fleksibilitetin strategjik dhe operacional të SHBA-së.

Nga 34,500 ushtarë amerikanë, që janë të pozicionuar në Gjermani, rreth 6,400 do të kthehen në shtëpi, ndërsa afro 5,600 do të ripozicionohen në shtete të tjera të NATO-s.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë publike planet për ripozicionimin e trupave nga Gjermania qysh në qershor, edhe pse Gjermania, për kohë të gjatë, ka qenë qendër e operacioneve ushtarake amerikane në Lindje të Mesme, Afrikë dhe Evropë.

Vendimi ka ardhur pasi Trump ka kritikuar vazhdimisht Gjermaninë për mos përmbushje të angazhimeve ndaj NATO-s, përkatësisht të pagesës prej 2% të bruto prodhimit vendor për aleancën ushtarake.

Esper tha se personeli ushtarak amerikan në Gjermani do të konsolidohet në vende të tjera në Evropë, përfshirë bazat e NATO-s në Belgjikë dhe Itali.

Ripozicionimi i aseteve ajrore në Itali do t’i afronte ato më pranë rajonit të Detit të Zi, ndërsa transferimi i strukturave të komandës amerikane në Belgjikë do të ndihmonte në përmirësimin e koordinimit me komandën e NATO-s, tha Esper.

Ai tha se disa trupa mund të shkojnë edhe në vendet e Baltikut. Esper nuk dha ndonjë afat kohor për ripozicionimin e trupave, por tha se disa ndryshime mund të ndodhin brenda disa javësh, ndërsa të tjerat do të marrin më shumë kohë

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet