​Sejdiu: Dorëheqja e Isa Mustafës është me ‘bisht’, LDK pësoi ‘nokaut’

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka komentuar humbjen e thellë të kësaj partie në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai në emisionin Debat të RTK-së ka thënë se nuk ka shumë shpjegim për dorëheqjen e Isa Mustafës dhe Kryesisë së LDK-së.

“Është një temë që kërkon trajtim të thellë. Çështjet që ua kam adresuar që 11 vjet, kanë qenë të rëndësishme e që LDK-ja me këtë lidership nuk i ka kushtuar kujdes. Është e dhimbshme kjo që ka ndodh me LDK-në”, ka thënë Sejdiu.

Ai e ka quajtur “me bisht” dorëheqjen e Isa Mustafës pas debaklit të 14 shkurtit që e renditën këtë parti të tretën me mbi 13 për qind të votave, rezultati më i dobët ndonjëherë.

“Është dorëheqje me bisht, sepse i treti, i katërti nuk e çmojnë që të jetë përgjegjësia e të gjithëve. Duhet të jetë barrë e secilit në kryesi për këtë që ka ndodh në LDK. Ka qenë një kohë që personalisht kam kërkuar që njerëzit që kanë pasur humbje, të reflektojnë. Atë nuk e kemi parë të rëndësishme”, ka thënë Sejdiu.

Ai tha se ka shumë çështje që duhet analizuar thellë pasi humbja e së dielës ‘është një tip nokdauni, të cilin e sheh edhe të qytetarët’.

Sejdiu ndërkaq nuk ka dashur të tregojë nëse do të kthehet në krye të LDK-së.

Kategoritë
LajmeVendi