​Presidenti Thaçi: Kosova është e zhgënjyer nga BE-ja, e dëshpëruar dhe e tradhtuar

Pas takimit që ka pasur sonte në Gjermani me ambasadorin e SHB-së, Richard Grenell, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova beson plotësisht në rolin udhëheqës të lidershipit të SHBA-së, Presidentit Trump, angazhimin dinamik të sekretarit Pompeo dhe rolin determinues në këtë proces të ambasadorit Grenell.

Në një konferencë të mbajtur për media, Thaçi po ashtu ka pohuar se tash do të kenë edhe angazhime tjera për linjën hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, por në nivel ndërkombëtar dhe nivel rajonal.

“Do të punojmë maksimalisht si institucione të Republikës së Kosovës, që të arrijmë në marrëveshje finale, që nënkupton si dy vende të pavarura mes Kosovës dhe Serbisë. Është fat që e kemi një njeri dinamik, i mbështetur plotësisht nga SHBA dhe po ndodhin gjëra që të tjerët vetëm kanë mundur t’i imagjinojnë në dy dekadat e kaluara, se mund të realizohen mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pra për të investuar në paqe, progres, zhvillim ekonomik, për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës. Natyrisht aspirata e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s, të BE-së, por edhe OKB-së”, tha ai.

Presidenti i Kosovës ka vlerësuar se Kosova beson plotësisht në rolin udhëheqës të lidershipit të SHBA-së, Presidentit Trump, angazhimin dinamik të sekretarit Pompeo dhe rolin determinues në këtë proces të ambasadorit Grenell.

“Kosova do të merr veprimet e veta të përgjegjshme, në ditët dhe javët e ardhshme, veprime këto që do ta ofrojnë edhe më tepër drejt NATO-s dhe BE-së. Në interes të Kosovës është që të ndërmerren veprime që e lehtësojnë procesin e dialogut, dhe jo që e vështirësojnë, që e afrojnë me SHBA-në, BE-në dhe me NATO-n dhe jo veprime, që duken në shikim të parë që sjellin ndonjë poen politik, por që rrezikojnë partnerit etin strategjik me SHBA-në dhe BE-në. Pra Kosova do të lëvizë drejtë një perspektive të sigurt, me hapa strategjik dhe të koordinuar me partnerët që e fituam edhe lirinë, edhe pavarësinë, që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së”, tha i pari i Kosovës.

Presidenti ka qenë shumë kritik ndaj BE-së, pasi siç tha Kosova nga Bashkimi Evropian është e zhgënjyer, është e dëshpëruar, edhe e tradhtuar, sepse për shkak të mos unitetit të vendeve të BE-së, Kosovës nuk i është dhënë liberalizimi i vizave, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

“Duhet të punojmë të gjithë së bashku një unitet politik dhe qytetar. Unë dua të shpresojnë se BE do të jetë në mbështetje të plotë të një procesi dinamik me SHBA-në, që të jenë të plotsueshëm për njëra tjetrën. Dhe theksoj se garancë e sigurt është roli udhëheqës dhe dinamik i SHBA-së dhe natyrisht mbështetja e plotë dhe unik e BE-së, sepse ne syno jmë që të jemi pjesë e BE-së, por e them hapur dhe sinqerisht se Kosova nga Bashkimi Evropian është e zhgënjyer, është e dëshpëruar, edhe e tradhtuar, sepse nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave, ndërsa Kosova ka kryer të gjitha obligimet dhe standardet, qoftë në reformat në ekonomi, legjislacion dhe drejtësi, qoftë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa BE-së është duke i munguar veprimi politik, për shkak të mos unitetit të vendeve të BE-së. E them edhe njëherë, është jashtëzakonisht inkurajuese, angazhimi i drejtpërdrejt i SHBA-së dhe presidentit Trump në këtë proces”, tha Presidenti Thaçi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet