​Osmani: Kryeministri e quajti Kosovën konflikt i ngrirë siç e quan Serbia dhe Rusia

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti për deklaratat se Kosova është konflikt të ngrirë, duke thënë se një gjë të tillë e pohojnë vetëm Serbia dhe Rusia.

Në seancën plenare të Kuvendit, Osmani tha se çështja e Kosovës është zgjidhur me shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Osmani: Kryeministri Hoti e quan Kosovën konflikt të ngrirë

“Çka thonë Serbia dhe Rusia për ne, siç a quajnë neve, zonja dhe zotërinj deputetë, Serbia dhe Rusia, sidomos për ju që e përcillni politikën e jashtme një kohë të gjatë na quajnë konflikt i ngrirë. Po ju pyes kush e quajti sot, në këtë Kuvend, Kosovën konflikt i ngrirë – kryeministri i vendit tonë. Duhet ta kemi më se të qartë, Kosova nga 17 shkurti 2008 nuk është konflikt i ngrirë. Kosova është çështje e zgjidhur njëherë e përgjithmonë”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit tha se masa e reciprocitetit ndaj Serbisë nuk ka qenë asnjëherë instrument për bllokimin e procesit të dialogut, por një mjet për të afirmuar sovranitetin e vendit dhe se vendosja e reciprocitetit vetëm sa i ka kontribuar marrëdhënieve mes dy vendeve.

Osmani: Reciprociteti me Serbinë nuk është pengesë

“Për mua mbetet e pakuptimtë, e papranueshme dhe e dëmshme për pozicionin e Kosovës në dialog nëse reciprociteti quhet pengesë, e aq më tepër nga një kryeministër i vendit që duhet ta përfaqësojë Kosovën në atë tavolinë, sepse parimi i barazisë i reciprocitetit është parim që i ka paraprirë krijimit të shtetit të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit kërkoi unitet të spektrit politik për çështje të rëndësishme, duke thënë se nuk është politikë populiste që Kosova të kërkojë të trajtohet shtet i barabartë në tavolinën e dialogut me Serbinë.

Osmani: Në Kuvend të flitet njëzëri për barazi

“Kur ju hiqne dorë nga atributet e shtetësisë, pse prisni të tjerët t’ju mbrojnë? Ejani, të flasim njëzëri në Kuvend se duam barazi dhe do ta shihni çfarë përkrahje do të kemi nga SHBA dhe të tjerët! Ejani sot unanimisht ta miratojmë këtë kërkesë për barazi dhe do ta shihni si do të trajtohemi nga miqtë tanë! Ejani sot të flasim njëzëri për reciprocitet së paku për njohjen e diplomave, së paku në njohjen e dokumenteve tona, të kërkojmë barazi në njohjen e emrit tonë kushtetues Republika e Kosovës”, tha Osmani

Kategoritë
LajmeVendi