​OEAK: Lufta politike po rrezikon ndërmarrjet dhe vendet e punës në Kosovë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u kërkon të gjitha institucioneve të Kosovës, ekzekutivit dhe legjislativit, por edhe partive politike që të shmangin luftën e brendshme politike dhe të ndjekin një agjendë dinamike të veprimeve që do të mundësonin ndërhyrjen e shpejtë të shtetit për ndërmarrjet dhe punonjësit e rrezikuar.

Masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID19 kanë kufizuar në masë të madhe aktivitetet ekonomike, gjë që sjellë pasoja me kosto të lartë të rikuperimit për një ekonomi me strukturë të paqëndrueshme si ajo e Kosovës, për shkak të kërcënimit afatgjatë për ndërmarrjet, vendet e punës dhe stabilitetin buxhetor.

Oda Amerikane beson fuqishëm se në situatën aktuale nëpër të cilën po kalon sektori privat në veçanti dhe ekonomia e vendit në përgjithësi, është më se e nevojshme që temat e natyrës politike dhe mospajtimet rreth tyre të mos mbidominojnë temat që lidhen me përkrahjen e sektorit privat dhe rikuperimin e ekonomisë pas pandemisë COVID19.

“Moszbatimi deri në fund i masave të Pakos Emergjente Fiskale dhe vonesa në aprovimin e një programi të rimëkëmbjes, edhe për shkak të vonesës së aprovimit nga ana e Kuvendit të Kosovës të rishikimit buxhetor dhe marrëveshjeve të kredive ndërkombëtare, të cilat janë kyçe për zbatimin e masave të ndërhyrjes shtetërore, përbëjnë kërcënim serioz për dhjetëra mijëra vende të punës. Këto vonesa janë edhe rrjedhojë e dështimit të koordinimit dhe dakordimit të brendshëm institucional dhe politik, por edhe të dialogut të mangët dhe jo të sinqertë publiko-privat përgjatë katër muajve të fundit. Kjo do të bëjë pashmangshëm që Kosova të humbasë hapin në rimëkëmbjen ekonomike dhe në ofrimin e një perspektive më premtuese për qytetarët e saj. Derisa të gjitha deklaratat e Odës Amerikane dhe të organizatave të tjera që përfaqësojnë interesat e sektorit privat në vend kanë folur për kufizime dramatike të aktivitetit ekonomik, e të konfirmuara edhe nga të dhënat e autoriteteve tatimore e doganore, të njëjtat shqetësime duket se nuk kanë alarmuar vendimmarrësit shtetërorë dhe partitë politike, të cilët fatkeqësisht u kanë dhënë prioritet çështjeve politike duke zgjedhur të theksojnë mospajtimet e tyre. Oda Amerikane rikujton udhëheqësit politikë të Kosovës se zhvillimi ekonomik kërkon një qasje të unifikuar nacionale ndërmjet të gjithëve hisedarëve politikë dhe jopolitikë, e cila do të kulmonte me një strategji nacionale të zhvillimit ekonomik dhe do të garantonte konsistencën në qeverisjen ekonomike në vitet në vijim. Diskursi thellësisht përçarës politik i muajve të fundit, fatkeqësisht nuk i kontribuon synimeve të sipërcekura. Në rast të vonesës së mëtejme të përkrahjes për sektorin privat, muajt në vijim do të shpërfaqin pasojat reale të pandemisë COVID19 në ekonominë e vendit, që do të rezultojnë me kolaps masiv të ndërmarrjeve, rritje të papunësisë dhe varfërisë, zvogëlim të të hyrave buxhetore dhe reduktim të aftësisë së shtetit për të ofruar shërbime publike dhe investime kapitale”, thuhet në reagimin e OEAK.

OEAK thotë se përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, Qeveria e Kosovës do të duhej të angazhohej me seriozitet të pashembullt në përmbushjen e agjendës legjislative për këtë vit, ndërsa nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës pritet që të përqendrojnë debatin parlamentar në aspektet ekonomike në vend të mospajtimeve të ngushta politike e debateve për tema të panevojshme të cilat pengojnë reformën e progresin, rritjen e shpejtë ekonomike dhe ngritjen e mirëqenies sociale.

Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane thekson edhe nevojën e rritjes së dinamizmit të Këshillit Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, ku sektorit privat duhet t’i ofrohet hapësira për të luajtur rolin parësor në zhvillimin e programit të rimëkëmbjes, reformimin e mjedisit për të bërë biznes dhe fuqizimin e sektorit privat.

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet