​Nisma në pritje të PDK-së për koalicionin parazgjedhor

Nisma Socialdemokrate i është ofruar PDK-së për formimin e një koalicioni parazgjedhor. Megjithëse negociatat dhe takimet ndërmjet partive kanë filluar, partia e drejtuar nga Enver Hoxhaj ende nuk i ka bërë një ofertë konkrete socialdemokratëve.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj tha se tashmë i mbetet PDK-së të bëjë hapin e radhës, për ta pranuar ose jo për të garuar në zgjedhje në një listë të përbashkët, në të kundërtën do të garojnë të vetëm.

Limaj: Kemi shprehur gatishmëri për të negociuar me PDK-në

“Iu kemi ofruar ose kemi shprehur gatishmëri për të negociuar me PDK-në për të gjetur rrugë të bashkëpunimit. Këtë moment bashkimi i forcave patriotike për mbrojtjen e vlerave. Në këtë drejtim Nisma është e hapur dhe gatshme….Nisma është e gatshme për koalicion parazgjedhor dhe mendojmë që tani është interesi i atdheut. Duhet t’i lëmë interesat e ngushta dhe të gjejmë rrugë të partneritetit…Ne kemi filluar negociatat, jemi takuar, nuk kemi asnjë ofertë konkrete. Tash i mbetet PDK të bëjë hapin e saj në drejtim të asaj që thashë”, tha ai.

Krahas kësaj, Limaj adresoi akuza për ata, siç tha neo-titistët dhe nostalgjikët e Jugosllavisë.

Limaj: Kosova është e lirë që 20 vjet

“Nga brenda kontestohet nga ata që nuk e njohin dhe nuk kanë njohur shtetit dhe thonë se është jetuar më mirë para 20 vjetësh. Për mua para 20 vjetësh ka qenë Serbia, Kosova është e lirë më shumë se 20 vjet. Ata që thonë këtë unë i quaj neo-titistët dhe neo-jugosllavët e sistemit të vjetër”, tha ai.

Këto komente Limaj i bëri pas një vizitë në OVL-UÇK për nder të Ditës së Veteranit, ku u prit nga krerët e kësaj organizate. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku tha se për shkak të pandemisë në këtë ditë të veteranit do të bëjnë vetëm homazhe.

Klinaku: Ditën e Veteranit do ta shënojmë vetëm me homazhe

“Këtë vit, si ditë të veteranit ne e shënojmë vetëm homazhe. Për shkak se ju e dini që i kemi bashkëluftëtarët në burg dhe për shkak të pandemisë këtë ditë ne do ta shënojmë me homazhe që do të bëjmë në tërë Kosovën. Me zotëri Limaj diskutuam shumë çështje që na preokupojnë. Jemi para disa proceseve që ju i dini”, tha ai.

E Limaj ka treguar se çfarë do të thotë të jesh veteran i luftës.

Limaj: Veteran është ai që në kohën më të vështirë ka shërbyet për atdheun

“Vetë emërtimi veteran, shqiptarët e Kosovës kanë njerëz të gjallë që ecin në rrugët tona me titullin veteran. Veteran është ai që në kohën më të vështirë ka shërbyer për atdheun”, tha ai.

Zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen në fund të muajit janar ose fillim të muajit shkurt, pas vendimit të Kushtetueses për paligjshmërinë e Qeverisë Hoti.

Kategoritë
LajmeVendi