​MSH u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal

Me qëllim të mbrojtjes nga gripi sezonal, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të vendit, sidomos grupeve të rrezikut, personat mbi-65 vjeç, të sëmurët kronikë, shtatzënat dhe lehonat, fëmijët mbi 6 muaj që mund të kenë predispozita për ndonjë sëmundje, por edhe grupeve të tjera të popullatës që të vaksinohen kundër gripit.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave kundër gripit sezonal dhe doza të konsiderueshme janë shpërndarë përmes IKSHPK-së në njësitë e vaksinimit të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komunat e Kosovës.

Deri tash, në institucione shëndetësore janë shpërndarë mbi 140 mijë vaksina, ndërsa në stoqet e MSh/IKSHPK, ka sasi të mjaftueshme për të vaksinuar qytetarët që bien në grupet e rrezikut dhe të interesuarit e tjerë, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Vaksinat të cilat po përdoren sivjet, janë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal. Ato janë, gjithashtu, parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së dhe garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre.

Kategoritë
LajmeVendi