​Marrëveshja e “W6 Shengenit”, Rama: Fluks turistësh kinezë, do të lëvizin pa viza

Turistëve kinezë do t’iu mundësohet të lëvizin pa viza në të gjithë zonën ku do funksionojë marrëveshja e “W6 Shengenit”.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit të mbajtur sot në mbrëmje në ambientet e COD në kryeministri ku u çel ekspozita “Përtej Kujtimeve” në kuadër të 70-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.

“Sot, Shqipëria është vendi që çdo vit e më shumë kinezë zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre. Vetëm këtë vit, rritja e turistëve kinezë krahasuar me vitin paraardhës ishte 65% dhe është rritja më e madhe në % e të gjithë kategorive të turistëve të huaj. Me çuarjen përpara të marrëveshjes së “W6 Shengenit”, ne besojmë se vitin e ardhshëm do të kemi një boom turistësh kinezë pasi në muajt në vijim do të dakortësojmë se për turistët kinezë nuk do të jetë e nevojshme të kenë më shumë sesa një pikëhyrëse, në sensin e dokumentacionit dhe praktikisht në të gjithë zonën ku do funksionojë marrëveshja do të mund të jetë e mundur që ata të lëvizin pa viza”, deklaroi Rama.

Ndërkohë që nëse sot Shkupi dhe Beogradi kanë një numër më të madh të turistëve kinezë, diçka më shumë sesa një çerek milioni së bashku, Kryeministri theksoi se “mundësia për të ardhur në Tiranë, qoftë përmes aeroportit pa vizë, qoftë përmes rrugës nga Maqedonia e Veriut pa vizë do të rrisë shumë kapacitetin e ofertës tonë në raport me kërkesën në rritje dhe përfshirja e të gjitha vendeve në këtë hapësirë pa viza, për turistët kinezë do të jetë as më shumë as më pak një energji që sot ne nuk arrijmë dot mbase perceptojmë aq sa duhet, ashtu siç duhet në funksion të ekonomisë së turizmit”.

Më tej, Kryeministri u shpreh se Kina sot është partneri më i madhe tregtar i Shqipërisë pas Bashkimit Evropian dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër sipas tij, përveçse kjo marrëdhënie të njohë rritje të vazhdueshme.

“Shqipëria sot është një vend anëtar i NATO-s me një fushëpamje e mjedisit ndërkombëtar stimuluar nga një aleancë strategjike jetike dhe rrënjosur mbi parime demokratike dhe një botë të bazuar në multilaterizëm. Kina nuk resht së kultivuari veçori dhe politika që tejkalojnë konceptet e dakortësuara prej shume e shumë kohësh nga fuqitë eurocentrike dhe mbetet një kontinent-shtet që realitetet i trajton me përmasa gjigante dhe gjithnjë në përputhje me peshën e vet ekonomike, me mjeshtërinë teknologjike dhe me demografinë e saj të jashtëzakonshme. Dhe nuk është aspak çudi që Kina sot është partneri më i madhe tregtar i Shqipërisë pas Bashkimit Evropian dhe potencialisht pa diskutim portofoli i kësaj marrëdhënie nuk ka asnjë mundësi tjetër veçse të njohë rritje të vazhdueshme”, tha ndër të tjera Kryeministri Rama.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet