​Markoviq: Vendimi për kufirin me Serbinë nuk është politik

Kryeministri i Mali të Zi Dushko Markoviq tha sot se vendimi i qeverisë për hapjen e kufijve, i cili aktualisht përjashton Serbinë dhe disa vende të rajonit, është bërë në përputhje me “standardet epidemiologjike” dhe hodhi poshtë pretendimet se ishte i motivuar politikisht.

“Nuk ka zemërim kur bëhet fjalë për shëndetin kombëtar. Ne dëshirojmë që Serbia të dalë sa më shpejt nga kjo situatë. Ne nuk duam t’i japim llogari askujt,” tha Markoviq në Parlamentin e Malit të Zi.

Mali i Zi do të hapë kufijtë e tij për nëntë anëtare të BE-së dhe Shqipërinë në fillim të qershorit. Mundësia e hapjes së kufijve për “disa vende të tjera të rajonit” është njoftuar deri në momentin e urdhrit për hapjen e kufijve, por nuk specifikohet se cilat shtetet janë, transmeton KosovaPress.

Markoviq tha se ai nuk e di arsyen e deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e karakterizoi vendimin e Podgoricës si politik.

Beogradi zyrtar protestoi ashpër ndaj vendimit të autoriteteve në Podgorica. Mbrëmë, një ditë pas vendimit të qeverisë malazeze, Serbia vendosi të ndalojë uljen e aeroplanit të kompanisë ajrore kombëtare të Malit të Zi në aeroportin e Beogradit.

Markoviq tha se nuk kishte bisedime me autoritetet në Serbi në lidhje me vendimin për kufijtë, dhe vlerësoi se Mali i Zi “nuk duhet të kërkojë një mendim se çfarë do të bëjë me atë që është në interes të tij”.

Markoviq shtoi se Mali i Zi do të jetë i hapur për qytetarët serbë kur ai vend të përmbush kriteret epidemiologjike 25 pacientë për 100,000 banorë.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet