​Lutfi Haziri tregon qëndrimin e LDK-së për presidentin

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lutfi Haziri, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, tha se LDK-ja do të evitojë çdo lloj pengese në zgjedhjen e presidentit të vendit.

Ai tha se LDK do të jetë opozitë karshi qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa tha se në zgjedhjen e presidentit do të evitojnë çdo lloj obstruksioni institucional.

Haziri bëri të ditur se nesër do të takohen edhe me Grupin Parlamentar të LDK-së me të cilët do të diskutojnë që pjesëmarrja në seancë kur të zgjidhet presidenti të jetë në frymë kushtetuese.

Haziri: LDK do të evitojë çdo lloj obstruksioni institucional, çdo lloj pengese

 

“Tashmë dihet qe karshi qeverisjes së Vetëvendosjes ne do të jemi opozitë aktive, ndërsa në ndërtimin e institucionit të presidentit LDK do të evitojë çdo lloj obstruksioni institucional, çdo lloj pengese me rolin e vet konstruktiv, me rolin e vet pozitiv në ndërtim dhe në funksion të stabilitetit në mënyrë që të përmbyllet cikli i zgjedhjeve dhe funksionimit të institucioneve dhe mandej të ecet përpara me agjendë politike. Në rrafshin tjetër kryetari i LDK-së dhe lidershipi nesër do të takohen me grupin e deputetëve, ne do të vazhdojmë diskutimet dhe debatin me deputetët në mënyrë që pjesëmarrja në seancë dhe përfaqësimi i LDK-së në atë seancë të jetë në frymë kushtetuese duke evituar çdo lloj obstruksioni eventual institucional dhe duke krijuar frymë dhe angazhim politik për një stabilitet në këtë vend”, tha ai.

Haziri tha se po punojnë që të jenë unanimë dhe të ndërtojnë kulturë të unitetit politik të brendshëm, derisa shtoi se nesër do të bisedojnë me të gjithë deputetët.

Haziri: Roli jonë në Kuvend është pjesëmarrja apo mospjesëmarrja

 

“Roli jonë në Kuvend është pjesëmarrja apo mospjesëmarrja, sepse pjesëmarrja nuk është vetëm e mjaftueshme politikisht, pjesëmarrja në votim dhe zgjedhja e presidentit do të mbyllte ciklin e zgjedhjes së institucionit të presidentit. Këtu është roli jonë, ne nuk flasim me partitë e tjera, nuk kemi asnjë lloj përgjegjësie dhe asnjë lloj garancie për të tjerët, ne flasim për rolin tonë të cilin e paraqita në formën e drejtpërdrejtë…Ne do të punojmë që të dalim unanim dhe të ndërtojmë kulturë të unitetit politik të brendshëm, na duhet si çdo herë që veprimi jonë i përbashkët politik të jetë arma jonë politike më e fuqishme. Nesër do të bisedojmë me deputetët, bisedat individuale nuk janë ndalë asnjëherë, sepse ata kanë përgjegjësi institucionale edhe tash si të zgjedhur, por nesër si grup politik kryetari me nënkryetarët do t’i takon të gjithë deputetët dhe do ta paraqes qëndrimin e LDK-së, i cili është i zbardhur tashmë dhe do të diskutojë për mënyrën, rolin, angazhimin konkret në mënyrë që procesi i zgjedhjes së presidentit të mbyllet në afate kushtetuese dhe në frymën kushtetuese”, tha ai.

Haziri tha se nuk do të kenë më takim me kandidaten për presidente Vjosa Osmanin, me të cilën janë takuar edhe në vikend./M.Duraku/

Kategoritë
LajmeVendi