​Kurti për familjen Jashari: Ata dhanë gjithçka sepse e deshën lirinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar sulmin e parë të forcave serbe mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka thënë se që nga ajo ditë ata jetuan dhe luftuan me dy parime të thjeshta e të vështira.

“Nuk do ta lëshojmë Kosovën deri në çlirimin e vendit dhe bashkimin e kombit dhe nuk dorëzohemi e nuk nënshtrohemi për së gjalli”, ka shkruar ai.

Kurti ka thënë se Kosovën e presin ditë të mira, për aq sa nuk i harron anëtarët e kësaj familje.

Ky është statusi i tij i plotë:

Fillimi i luftës në Kosovë shënonte betejat e mbrama për ta. Vitet 1997-1999, ishin faza e fundit për ata që po luftonin për liri që nga viti 1991. Saktësisht 29 vjet më parë, me 30 dhjetor, forcat serbe sulmuan kullën e Jasharëve në Prekaz. Mirëpo, aty u sprapsën me panik nga pushkët e Bacës Shaban me djemtë e tij.

Që nga ajo ditë ata jetuan dhe luftuan me dy parime të thjeshta e të vështira: 1) Nuk do ta lëshojmë Kosovën deri në çlirimin e vendit dhe bashkimin e kombit; 2) Nuk dorëzohemi e nuk nënshtrohemi për së gjalli. Nga ky betim që ata ia bënë tokës sonë e njëri-tjetrit lindi UÇK-ja.

ATA dhanë gjithçka. Sepse lirinë e deshën për të gjithë ne. Kosovën e presin ditë të mira. Për aq sa nuk i harron ATA.

Kategoritë
LajmeVendi