​Kurti bisedë me profesorin e Harvardit, shpalos objektivat për arsimin në Kosovë

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me Fernando M. Reimers, profesor në Universitetin e Harvardit.

Në këtë takim, sipas Kurtit është diskutuar gjatë mbi sfidat e arsimit dhe politikat që i planifikojnë për mandatin e ardhshëm, duke filluar nga shujtat falas për të gjithë fëmijët, eliminimi i notave për klasët fillore të ulëta, kurrikulat e reja dhe edukimi dual që ndërlidh aftësimin profesional me tregun e punës.

Ndërsa profesor Reimers theksoi që arsimi arrin objektivat e saj vetëm kur përfshihet i gjithë komuniteti.

Ky është statusi i tij i plotë:

Arsimi është sistem në të cilin kalojmë të gjithë. Pata kënaqësinë të zhvilloja një bisedë me Fernando M. Reimers, profesor në Universitetin e Harvardit që nga viti 1998. Ai udhëheq programin e Politikave Ndërkombëtare të Arsimit në nivelin pasuniversitar dhe është anëtar i Komisionit të UNESCO-s mbi të Ardhmen e Arsimit.

Hulumtimet dhe librat e shumtë të profesorit Reimers përqendrohen në përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për shekullin 21 përmes intervenimeve në arsimin publik. Publikimet e tij përfshijnë ‘Edukimi i Nxënësve për ta Përmirësuar Botën’, ‘Letra për një Ministër të Ri të Arsimit’ dhe ‘Menaxhimi i Arsimit gjatë COVID-19’.

Diskutuam gjatë mbi sfidat e arsimit dhe politikat që i planifikojmë për mandatin e ardhshëm, duke filluar nga shujtat falas për të gjithë fëmijët, eliminimi i notave për klasët fillore të ulëta, kurrikulat e reja dhe edukimi dual që ndërlidh aftësimin profesional me tregun e punës. Në takim, Reimers theksoi rëndësinë e reformave të njëkohshme në tri sfera të jetës publike: sundimi i ligjit, ekonomia dhe arsimi. Këto të trija, kur funksionojnë siç duhet e të bashkërenduara, përbëjnë potencialin më të madh të zhvillimit në Kosovë.

E dimë se shumica e klasëve në shkolla janë të mbingarkuara, dhe një reformë që propozoi profesori Reimers e që ka funksionuar për shtetet e ngjashme është angazhimi i asistentëve për mësimdhënësit e të gjitha niveleve. Lëvizja VETËVENDOSJE! planifikon të nxit studentët më të mirë të nivelit Master të angazhohen në mësimdhënie, dhe të ofrojë përgatitje profesionale të vazhdueshme në nivel kombëtar për të gjithë.

Gjithashtu u diskutua rëndësia e leximit, e qasjes në libra në çdo klasë, për çdo fëmijë, si dhe koha e dedikuar për lexim gjatë orarit mësimor. Leximi është për mendjen ajo që ushqimi është për trupin. Bibliotekat e reja dhe të furnizuara për të gjitha shkollat janë prioritet qeveritar yni për arsimin.

Për fund, Reimers theksoi që arsimi arrin objektivat e saj vetëm kur përfshihet i gjithë komuniteti. Shkolla e lagjes mund të bëhet qendër e komunitetit. Të gjithë kemi përgjegjësi ndaj fëmijëve dhe të rinjve, jo vetëm si shërbyes publik, por si prindër, banorë dhe qytetarë. Andaj duhet angazhimi i secilit për të mbështetur nxënësit me dashuri, aktivizëm dhe prezencë kolektive.

Kategoritë
LajmeVendi