​KQZ tërheq shortin, Daka kërkon përgjegjësi nga subjektet politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hedhur të hënën shortin për renditjen e fletëvotimeve të subjekteve politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Me këtë rast, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka garantuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces se KQZ, është duke u angazhuar për zgjedhje të lira dhe demokratike. Teksa përgjegjësi për integritet të procesit zgjedhor ka kërkuar nga subjektet politike.

Daka: Subjektet politike t’i përmbahen ligjit

“Edhe subjektet politike kanë përgjegjësinë e tyre të pazëvendësueshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Prandaj u bëj thirrje subjekteve garuese, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre që të respektojnë ligjin, në mënyrë që të gjithë së bashku t’i shërbejmë integritetit të procesit zgjedhor”, tha ajo.

Sipas shortit të hedhur sot, Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë numrin 127, Lidhja Demokratike e Kosovës numrin 132, Partia Demokratike e Kosovës numrin 134, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tërhequr numrin 135, Nisma Socialdemokrate do të ketë numrin 121, Partia Balliste me numrin 120. Ndërkaq përfaqësuesi i partisë Fjala ka tërhequr numrin 138, me të cilën edhe përfundon lista e subjekteve politike në fletëvotim.

Ndërkaq Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës kryeson listën në fletëvotim, me numrin 111. Lista Serbe do të garojë me numrin 119, ndërsa, subjektet tjera politike kanë zënë numrat e tjerë.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt, partitë e tjera renditen sipas kësaj radhe: Me numrin 112 Kosova Demokratik Turk Partisi – KDPT, 113 – Koalicija Vakat, 114 – Yenilikci Turk Hareket Partisi, 115 – Gi Za Slobodu Pravdu Opstanak, 116 – Lëvizja për Bashkëveprim, 117 – Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, 118 – Srpski Demokratik Savez, 122 – Koalicija Zajeno, 123 – Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, 124 – Romani Iniciativa, 125 – Social Demokratska Unija, 126 – Kosovaki Nevi Romani Partia, 128 – Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës, 129 – Ujedinjena Zajednica – Adijana Hodzic, 130 – Partia e Ashkalinjëve për Integrim, 131 – Nova Demokratska Stranka, 133 – Nasa Inicijativa, 136 – Partia Liberale Egjiptiane dhe me numrin 137 partia Jedinstvena Goranska Partija. /N.Jakupi/

Kategoritë
LajmeVendi