​Kosova drejt zgjedhjeve të reja apo qeverisë së përkohshme ?

Në kohën kur shteti ka shpallur gjendje emergjente në sektorin e shëndetësisë për shkak përhapjes së koronavirusit, koalicioni qeverisës po shkon drejt ndarjes. Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vendosur të iniciojë mocion mosbesimi për të rrëzuar qeverinë Kurti, me arsyen se kryeministri rrezikon të prishë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të mosheqjës së tarifës 100%. Njohës të kushtetues, për KosovaPress, tregojnë se çka mund të ndodh nëse votohet mocioni në Kuvend, ndërkohë theksojnë se dy partitë në pushtet kanë marrë vendime të ngutshme në kohën e krizës për vendin.

Profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu shpjegon hapat e mëtejmë nëse mocioni i LDK-së për rrëzimin e qeverisë Kurti kalon në Kuvendin e Kosovës.

Fillimisht duhet të mblidhen të paktën 40 nënshkrime për t’u jetësuar ai, pastaj seanca për votim duhet të thirret jo më vonë se pesë ditë pasi janë dorëzuar nënshkrimet.

Por Baraliu thotë se Kuvendi aktualisht nuk i posedon as kushtet elementare për të zhvilluar punime, marrë parasysh gjendjes e krijuar me koronavirus

“Nëse mocioni votohet, qeveria bie, atëherë presidenti i vendit detyrohet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, nëse nuk gjen ndonjë solucion tjetër, ai mundet solucion tjetër të provojë të kërkojë nga ndonjë formacion politik ose koalicion politik qeverisës potencial që të bëjë një qeveri teknike, ose t’i thërrasë partitë politike, varianti i tretë i mundshëm solutiv, zgjidhja e mundshme t’i thërras subjektet politike në bisedë dhe të merren vesh për të gjetur një zgjidhje konsensuale të përgjithshme në mënyrë që të kemi një periudhë kalimtare, një tranzicion, domosdoshëm në këtë gjendje për të tejkaluar gjendjen emergjente që e kemi të virusit dhe për të arritur një gjendje stabile ku mund të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të zhvillohen”, shpjegon Baraliu.

Ai shton se marrëveshjet politike pastaj duhet të marrin miratimin e Kuvendit. Nëse aty votohet një formacion qeverisës e fiton legjitimitetin dhe vepron për aq kohë sa merren vesh subjektet politike, me qëllim të gjendet një zgjidhje kalimtare derisa të krijohen kushtet për zgjedhje të reja.

Baraliu i cili është një prej hartuesve të Kushtetutës së Kosovës, thotë se zgjidhja duhet të bëhet në frymën kushtetuese, jo të shkelet ajo siç ka ndodhur jo rrallë herë nga politikanët kosovare.

Por në këto rrethana, zgjidhjen e vetme që ai i sheh është tërheqja e mocionit të mosbesimit nga LDK, dhe vazhdimi i punës së kësaj qeverie derisa të tejkalohet kriza me pandeminë.

“Sidomos tani para qytetarëve nuk kanë asnjë justifikim, mendoj që do të ishte diçka që do të duhej brejtur ndërgjegjen e dy subjekteve politike, edhe veprimi ndoshta i ngutshëm në këtë kohë, në këtë kohë kur flasim për kohën e krizës që po ballafaqohemi të një pandemie botërore, që rrezikon çdo qytetar të botës dhe qytetarë të Kosovës, vendimi i ngutur me shkarkimin e ministrit të Brendshëm, të reflektojnë të dy palët dhe të vazhdohet, të tërhiqet mocioni, sepse është vendim i kryesisë që nëse vazhdon deri në fund, duhet të jetë e vetëdijshme edhe LDK që do të ketë probleme brenda sepse nuk janë unike idetë dhe qëndrimet nuk janë unike”, thotë ai.

Ndërsa, analisti politik, Faton Abdullahu thotë se prej fillimit koalicioni qeverisës nuk ka dhënë shenja që është i qëndrueshëm.

“Duke pasur parasysh çfarë është gjendja e tanishme nuk është e ndershme para qytetarëve të Kosovës gjithë kjo çka po ndodh të qeveria Kurti, është qeveria Kurti ajo qe ka shkaktuar edhe një ekstra rrethanë të jashtëzakonshme që po na brengose të gjithëve, ngase duke u marrë me çështje që për bazë kanë interesa klanore, partiake dhe te tjera të kësaj natyre, institucionet që duhet të dirigjohen nga qeveria aktuale janë të topitura për nga prirja për të kryer punë si duhet ne raport me sigurimin e jetës së qytetarëve”, thotë Abdullahu.

Në rast se mocioni kalon në Kuvendin e Kosovës, Abdullahu thotë se vendimet duhet të mirren bazuar në gjendjen e aktuale të krijuar nga koronavirusi.

“Konsideroj që dyjat, edhe shkuarja në zgjedhje edhe ajo e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse duhet të mirren parasysh por gjithmonë duke mos harruar atë të parën qe është urgjente e që duhet me çdo kusht t’i përgjigjemi sot menjëherë është ajo me koronavirus” shton ai.

Mos pajtimet në mes të partnerëve të koalicionit u theksuan me çështjen e tarifës qind për qind ndaj mallrave serbe, të cilën kryeministri Albin Kurti tha se do ta heq pjesërisht për ta zëvendësuar pastaj me reciprocitet.

Ndërkohë, LDK pas presionit të vazhdueshëm, të aleatëve të Kosovës, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për heqje menjëhershme dhe të pakushtëzuar të taksës, paralajmëroi Kurtin që do të ndërprejë qeverisjen më të.

Problemet mes tyre u thelluan kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi propozoi tà « shpallet gjendje e jashtëzakonshme në nivel vendi, diçka që kryeministri e kundërshtoi por jo edhe ministri i Brendshëm. Agim Veliu i LDK-së, u shkarkua nga posti i ministrit të Brendshëm meqë i njëjti deklaroi se duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend për shkak të pandemisë, me arsyetimin se ka përhapur panik.

Mbrëmë, kryesia e LDK-së vendosi të iniciojë mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Kurti, mocion ky që deri tani ka marrë mbështetjen e Aleancës për ardhmërinë e Kosovës dhe të Nsimës Socaildemokrate.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi