​KOK-u mban Asamblenë Vjetore të Punës, shpalosen sukseset e arritura

Komiteti Olimpik i Kosovës, ka mbajtur Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Punës, ku është prezantuar puna një vjeçare dhe aktivitete e këtij komiteti.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, në hapje të Kuvendit të Punës ka paraqitur pikat të cilat duhej të miratoheshin në këtë mbledhje. Ishin gjithsejtë 15 pika të cilat duhej të votoheshin nga delegatët më të drejtë vote, përcjell KosovaPress.

Në fjalimin e tij hyrës, Presidenti Besim Hasani, ka deklaruar se me njohjet e shumta nga Federatat Olimpike Ndërkombëtare, sporti i Kosovës po bëhet eksportues i vlerave të mirëfillta sportive e Olimpike

Hasani: Sporti i Kosovës po bëhet eksportuese e vlerave të mirëfillta

 

“Duke lënë pas, pesë vite të njohjes së KOK-ut nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe shumë njohje tjera që pasuan të Federatave kombëtare nga Federatat Ndërkombëtare, Lëvizja Olimpike e Kosovës po dëshmohet se, nuk është vetëm konsumuese e vlerave dhe mbështetjes nga Lëvizja Olimpike Ndërkombëtare, por gradualisht dhe sigurt, sporti i Kosovës po bëhet eksportuese e vlerave të mirëfillta sportive e Olimpike”, tha Hashani.

Më tutje, Hasani ka përmendur faktin se si Bjellorusia, vendi organizator i Lojërave Olimpike, u njoftua me simbolet e shtetit tonë duke iu falënderuar sportisteve si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Loriana Kuka etj.

Hasani: Viti 2019 ishte i sportistëve tanë

 

“Falë vajzave tona të vyera: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka, Bjellorusia si organizatore e Lojërave Evropiane Minsk 2019 u njoftua me simbolet dhe fuqinë sportive të shtetit tonë. U fituan tri medalje, të cilat e renditën vendin tonë në mesin e shteteve më të suksesshme në Evropë. Rezultatet nuk munguan as nga boksi e karate që ishin pranë medaljes. Medalja nuk mungoi as në Festivalin Evropian për të Rinj Baku 2019, ku në skenë doli atleti, me shumë talentë dhe të ardhme të ndritur, Muhamet Ramadani”, tha ai.

Hasani gjithashtu me këtë rast ka deklaruar se Komiteti Olimpik ka bërë një punë të madhe në mbështetjen e sportistëve të Kosovës duke i mbështetur ata për shkuarje në kampe të ndryshme stërvitore si dhe me dhënien e bursave të shumta.

Hasani: KOK i ka kushtuar rëndësi të madhe ngritjes së cilësisë së sportistëve

 

“Kampet trajnuese për LO Tokio 2020, përgatitjet intensive për kandidatët dhe të përzgjedhurit për Lojërat Evropiane ‘Minsk 2019’. Dërgimi i sportistëve të rinj në kampe përgatitore për Festivalin Olimpik Evropian Dimëror ‘Sarajeva 2019’. Dërgimi i sportistëve të rinj në kampe përgatitore për Festivalin Olimpik Evropian Veror ‘Baku 2019’, mbështetja e përgatitjeve të sportistëve për Lojërat Mesdhetare në Rërë ‘Patra 2019’. Mbështetja e sportistëve të rinj në kampe përgatitore para Lojërave Olimpike Dimërore për të rinj ‘Llozana 2020’, si dhe me dhënien e Bursave Olimpike për kualifikime për LO Tokio 2020”, tha ai.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Ibër Alaj, në fjalimin e tij ka thënë se kjo ministri ka mbështetur klubet dhe federata sportive ne Kosovë edhe në këto kushte të vështira duke shtuar se ai pret që të ketë një qeverisje të mirë dhe korrekte nëpër të gjitha federatat sportive ne Kosovë.

Alaj: I kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim federatat sportive ne Kosovë.

 

“Ne si ministri do të vazhdojmë bashkëpunimin më ju, në fuqizimin dhe në zhvillimin e sportit në mënyrë që të kemi një masovizim më të madh, të kemi një infrastrukturë sportive më të mirë me standarde të cilat kërkohen. Po ashtu këtë vit edhe në këto kushte ne si ministri i kemi mbështetur të gjitha organizatat sportive, por me një fond te veçantë në mënyrë që klubet te cilat kanë pasur një mungesë të të hyrave nga ligji për sponzorizim edhe gjatë kësaj faze jemi munduar që të lejojmë vërtetime që mundësojnë sponzorët që t’i mbështesin organizatat sportive, klubet dhe federatat, por duke e ditur që qëllim edhe u juaji edhe i misionit te juaj është që të kemi një qeverisje të mire nga organizatat sportive, transparente dhe llogaridhënie.”, ka thënë ai.

Kuvendi më tutje ka vazhduar me shqyrtimin dhe miratimin e 15 pikave të rendit të ditës.

Kategoritë
BotaLajme