​Ish-shefi ekzekutiv i Volkswagen-it, Martin Winterkorn akuzohet për manipulim

​Ish-shefi ekzekutiv i Volksëagen-it, Martin Winterkorn është akuzuar formalisht nga një gjykatë federale e Detroitit me akuzën e komplotimit për të gënjyer rregullatorët mbi manipulimin e emetimeve të automjeteve me naftë të prodhuesit gjerman.

Aktpadia e ngritur në fshehtësi gjatë muajit mars, u publikua këtë të enjte nga një gjykatë federale në Michigan, ku përmenden disa prej ish-shefave ekzekutivë. Winterkorn dha dorëheqjen pas zbulimit të skandalit të emetimeve të automjeteve me naftë, në shtator të vitit 2015 në Shtetet e Bashkuara.

Skandali thuajse ka “mbytur” prodhuesin gjerman prej thuajse 3 vitesh. Sipas “Bloomberg”, ish-shefi ekzekutiv është akuzuar edhe për shkeljen e Aktit për Ajër të Pastër.

Winterkorn është i fundit i shefave ekzekutivë të Volkswagenit që përballet me akuza nga hetimi i mbiquajtur si “Dieselgate”, që i ka kushtuar kompanisë miliarda dollarë dhe shumë të holla të paguara për marrëveshjen e fajësisë, duke dëmtuar gjithashtu edhe reputacionin e saj në arenën globale, përcjell TCh.

Dhjetorin e kaluar, Oliver Schmidt, ish-kreu i zyrës së VW-së për Mjedisin dhe Teknologjinë në SHBA, u dënua me 7 vite burgim. Ish-inxhinieri James Liang u dënua në gusht me 40 muaj burg dhe një gjobë 200 mijë dollarëshe.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet