​IKSHPK mohon se personi i arrestuar nga policia është laborant i saj

IKSHPK njofton se personi i arrestuar sot nga Policia e Kosovës në ambientet e punës të IKSHPK-së në dyshimin për kryerje të veprës penale të korrupsionit, nuk është staf dhe aq më pak laborant i IKSHPK-së.

Personi i arrestuar ka qenë duke punuar si personel mbështetës në punë administrative me kontratë të përkohshme në tre muajt e fundit me afat të caktuar në IKSHPK i kontraktuar si pjesë e projektit të Bankës Botërore për të përkrahur shëndetësinë e Kosovës në përballje me COVID-19, thuhet në reagim.

Pa paragjykuar procesin e hetimeve në këtë rast, IKSHPK ofron mbështetje të plotë zbatimit të ligjit, duke thënë se ky rast nuk mund të zbehë punën e madhe të personelit të IKSHPK në luftimin e COVID-19 gjatë gjithë vitit 2020.

Ndryshe, Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, sot, ka arrestuar sot një laborant në IKSHPK për shkak se ka kryer veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Personi i dyshuar mashkull/kosovar i ka mundësuar një femre/kosovare që të hyjë dhe t’i bëjë analizat për COVID-9, pa pritur në radhë dhe për këtë shërbim të mundësuar ditën vijuese për ta marrë rezultatin ka kërkuar 20 euro.

Policia e Kosovës paralajmëron se nuk do të tolerohet asnjë individ pavarësisht rolit dhe funksionit që ka, aq më tepër gjatë kësaj periudhe të pandemisë nëpër të cilën po kalojmë, të cenojë të drejtat e garantuara të qytetarëve, në veçanti kur ato kanë të bëjnë me shëndetin.

Kategoritë
LajmeVendi