​Hoxhaj nga Mitrovica premton fond 10 milionë euro për ndërtimin e shtëpive në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka takuar sot qytetarët e Komunës së Mitrovicës e para të cilëve ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes.

Nga Mitrovica, Hoxhaj tha se me të marrë drejtim e qeverisë do të krijojë fondin prej 10 milionë euro për të ndërtuar shtëpitë e shqiptarëve në veri të Mitrovicës.

Ai tha se vizita e sotme në veri të Mitrovicës është për të treguar vendosmërinë e tyre për të kthyer shqiptarët në shtëpitë e tyre.

Hoxhaj: Nuk do të heqim dorë për të kthyer shqiptarët në veri

 

“Kemi qenë te Kulla e Ali Kadriut, kemi qenë në mënyrë njerëzore, nuk kemi shkuar për një grusht votash, po kemi shkuar për një projekt. Ne do ta themelojmë një fond me vlerë prej 10 milionë eurosh, i cili do të vazhdojë ndërtimin e shtëpive në veri, i cili do të rikthejë shqiptarët në veri, i cili do të punësojë shqiptarët në veri dhe kemi shkuar në një ditë si kjo simbolike meqë me 3 shkurt të vitit 2000 janë vrarë 10 shqiptarë para syve të ndërkombëtarëve, kanë plagosur 26 shqiptarë, dhe janë dëbuar mbi 15 mijë shqiptarë prej veriut të Kosovës. Ne kemi shkuar për ta bërë të qartë se ne nuk do të heqim dorë për të kthyer shqiptarët në veri duke ndërtuar shtëpi”, tha ai.

Hoxhaj tha se përkundër mungesës së dy liderëve të tyre, Kadri Veseli e Hashim Thaçi, PDK do të punojë për ta rimëkëmbur Kosovën.

Hoxhaj: PDK doli nga UÇK, ne do ta fuqizojmë shtetin e Kosovës

 

“Platformën tonë ta thërrasim rimëkëmbje se kur dikush bënë përpjekje me marr nëpër këmbë PDK-në, Kosovën është pikërisht ajo parti siç është PDK e cila është themeluar prej UÇK -së, e cila nuk e ulë kokën, e cila nuk e çon flamurin e bardhë, e cila nuk dorëzohet po e cila ngrit në këmbë përsëri për ta fuqizuar shtetin, ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe platforma jonë është më e mira”, tha ai.

Hoxhaj tha se për Mitrovicën platforma për këto zgjedhje është Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.

Hoxhaj: Platforma jonë në këto zgjedhje është rimëkëmbja e Kosovës

 

“Në këto zgjedhje platforma jonë është rimëkëmbja e Kosovës, po për Mitrovicën, për lagjen tuaj, për qytetarët e Mitrovicës dhe për qytetarët e Kosovës, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi janë platforma jonë në këto zgjedhje”, tha ai.

Kategoritë
LajmeVendi