​Hoti premton nënshkrim kontrate për financimin e shoqatave që ofrojnë shërbime për fëmijët me nevoja të veçanta

Në ditën e fundit të vitit 2020, kryeministri Avdullah Hoti ka vizituar Down Syndrome Kosova në Prishtinë. Nga kjo organizatë kanë kërkuar mbështetje më të madhe institucionale, meqë theksuan se gjatë vitit kanë pasur vështirësi në ofrimin e shërbimeve për rreth 300 persona.

Hoti pohoi se ky ka qenë vit i vështirë, por premtoi që me fillim të vitit 2021 do të angazhohen për të nënshkruar një marrëdhënie kontraktuale me këto organizata të cilat po ofrojnë shërbime, në mënyrë që të financohen shpenzimet bazike.

“ Unë besoj që avancimi i një shoqërie, dhe humanizmi i një shoqërie matet përmes nivelit të kujdesit që ne e tregojmë ndaj këtyre fëmijëve dhe ndaj kategorive të tjera të shoqërisë që kanë nevojë për ne… Sivjet sigurisht ka qenë një vit i vështirë, me shumë edhe prioritete edhe nevoja. Dhe në pamundësi që në mënyrë sistematike t’i zgjidhim të gjitha këto probleme, unë do të kujdesem menjëherë pas Vitit të Ri që të ulemi bashkë me Down Syndrome Kosova dhe shoqatat tjera që ofrojnë shërbime për kategori të tjera të qytetarëve që të hyjmë në marrëdhënie kontraktuale, sepse ky është një shërbim publik që është obligim i shtetit që të ofrojë. Por, ofrohet nga organizata të cilat janë licencuar nga Ministria e Punës edhe Mirëqenies Sociale”, deklaroi ai.

Drejtoresha e Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri tha se gjatë vitit kanë pasur shumë vështirësi, për çka është rrezikuar edhe ofrimi i shërbimeve.

Brenda këtyre qendrave ofrojmë shërbime për 300 persona me sindromën down dhe ofrimi i shërbimeve vazhdon me mbet shumë sfidues për organizatën tonë sepse ne çdo shërbim që e ofrojmë është pa pagesë për komunitetin dhe këto shërbime janë të domosdoshme për anëtarët tanë. Dhe janë shërbime të cilat kërkojnë mbështetje të fuqishme nga institucionet e vendit”, theksoi ajo.

Down Syndrome Kosova se kanë edhe tri qendra të tjera në Prizren, Mitrovicë dhe Ferizaj.

Kategoritë
LajmeVendi