​Hoti: Për një grusht vota kundërshtarët politikë nuk kanë lënë gjë pa bërë

Lidhja Demokratike e Kosovës po shprehet e bindur se koalicioni i vetëm që do bëjnë në rrugëtimin për Qeverinë Hoti është partneriteti me qytetarët. Kandidati për kryeministër Avdullah Hoti ka deklaruar se derisa ai është përballur me procese të ndryshme për vendin, ka pasur të tjerë të cilët kanë përmendur “hartat e thikat”, për të evituar përballjen.

Ai gjatë tubimit me qytetarët e Prizrenit ka thënë se për një grusht vota, kundërshtarët politikë “nuk kanë lënë gjë pa bërë”. Bartësi i listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se në të gjitha veprimet që ka marrë kjo parti gjatë këtyre dekadave, ka pasur kundërshtarë politikë.

Hoti: Për një grusht vota, kundërshtarët politik nuk lënë gjë pa bërë
“Gjatë luftës e pasluftës, gjatë negociatave të Vjenës e te shpallja e pavarësisë. Shihni janë të njëjtit kundërshtarë, të njëjtit njerëz që kanë kundërshtuar të gjitha proceset e shtet-ndërtimit të Kosovës. Të gjitha pa përjashtim, nga e para deri në fund, e deri te marrëveshja e Uashingtonit edhe këtë e kanë kundërshtuar. Edhe këtë e kanë kundërshtuar, sepse nuk kanë ide, nuk kanë vizion. Nuk shohin përtej interesave të tyre personale dhe partiake. Nuk lajnë gjë pa bërë për të marrë një grusht vota, për të marrë një mbështetje të caktuar, për të mbajtur një post politik. Nuk lënë gjë pa bërë”, deklaroi ai.

Sipas tij, që nga koha kur LDK nuk po udhëheq me Prizrenin, qyteti është degraduar. Ai tha se në këtë komunë më shumë ka pasur prokurorë se vizitorë e mysafirë ndërkombëtarë.

Derisa ka folur për proceset të cilat ka udhëhequr gjatë kohës sa ishte kryeministër, ai deklaroi se ka pasur të tjerë të cilët për të evituar përballjen me to, kanë gjetur arsyeje të ndryshme.

Hoti: Ata gjenin arsyeje të ndryshme për të evituar përballjen me procese
“Ata gjenin arsyeje të ndryshme me harta e thika, e me gjëra të tjera, fiksione të ndryshme për të evituar përballjen me këto procese. Unë kam udhëhequr një ekip të jashtëzakonshme të ministrave, të kolegëve që janë para nesh që kanë dhënë rezultate të jashtëzakonshme. Kemi menaxhuar në të njëjtën kohë me procese shumë të vështira. Dhe ju garantoj që vetëm njerëzit e LDK-së mund të bëjnë një gjë të tillë. Edhe në menaxhimin e pandemisë, menaxhimin e rimëkëmbjes ekonomike. Nuk ka biznes në Prizren që nuk e ka hetuar dorën e shtetit në gjashtë muajt e qeverisjes sonë”, ka theksuar ai.

Hoti para prizrenasve ka prezantuar edhe projektin për ri-konstruimin e Qendrës Historike të Prizrenit bashkë me Qeverinë shqiptare, ku siç tha ai, kështu do të përgatitin qytetin për festimin e 150-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Kryetari i degës në Prizren, Anton Quni u shpreh i bindur se zgjedhjet e 14 shkurtit do të konfirmojnë besimin e qytetarëve për interesin shtetëror të Kosovës. Ai tha se e veçanta e partisë është “lidhja rugoviane” e kultivuar si një vlerë.

Çuni: LDK koalicionin e vetëm që do të ndërtojë është me qytetarët

“Kultura institucionale e instaluar nga LDK si dhe partneriteti me qytetarët është rruga alternative dhe koalicioni i vetëm që do të ndërtojë Lidhja Demokratike e Kosovës në rrugëtimin e saj për të formuar Qeverinë Hoti 2. Ky koalicion i përbashkët do të bëjë Evropën realitet për Kosovën. Ashtu siç e meritojnë me shërbime cilësore me shkolla kualitative, me institucione transparente dhe llogaridhënëse, duke i kushtuar kujdes të veçantë zhvillimit ekonomik dhe përfshirjes së të rinjve. Dhe posaçërisht duke avancuar raportet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës si një garanci për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, në aspektin e të drejtës ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Anton Çuni, i cili edhe garon për deputet, tha se në qytetin e Prizrenit mund të dëgjohen dy melodi hyjnore, ajo e ezanit nga minarja dhe e kambanës nga katedralja. Të dy këto, sipas tij tregojnë filozofinë e bashkëjetesës dhe paqes, e që kjo është themeli i bashkëjetesës së Ibrahim Rugovës. Tutje, ka shtuar se mbi këtë themel është ndërtuar themeli i shtetit të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi