​Hoti bisedë telefonike me Merkelin, konfirmohet mbështetja e Gjermanisë për Kosovën

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, në një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane Angela Merkel, diskutuan për menaxhimin e pandemisë Covid-19, zhvillimet aktuale politike në vend, procesin e dialogut me Serbinë dhe bashkëpunimin bilateral.

Sic njofton kumtesa qeveritare Hoti vlerësoi lart kontributin e çmuar që ka dhënë Gjermania në të gjitha fazat e shtet ndërtimit dhe forcimit të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.

Ai e njoftoi Kancelaren Merkel me masat që ka ndërmarrë Qeveria për minimizimin e pasojave që ka shkaktuar pandemia, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik e social.

Hoti e siguroi Kancelaren Merkel se, Qeveria në Detyrë e Republikës së Kosovës me përkushtim do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë dhe do të jetë bashkëpunuese konstruktive me bashkësinë ndërkombëtare.

Hoti dhe Kancelarja Merkel biseduan edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili u zhvillua mbi parime të qarta për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke, në kufijtë aktual. Me këtë rast, Kryeministri Hoti falënderoi Kancelaren Merkel për mbështetjen gjatë këtij procesi.

Kryeministri Hoti dhe Kancelarja Merkel, vlerësuan lart marrëdhëniet midis dy vendeve dhe theksuan gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit bilateral në çdo fushë me interes të ndërsjellë.

Kategoritë
LajmeVendi