​Haradinaj: Listës i prin kandidati për president, synojmë mbi 20 deputetë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka thënë se përkrahja për këtë parti në terren është e jashtëzakonshme.

Ai në Debat të RTK-së, ka thënë se AAK në zgjedhjet e reja parlamentare hyn me ofertën për president dhe si parti presin të fitojnë më shumë se 20 deputetë.

“Nëse shkojmë në të gjitha komunat që i vizitojmë, kemi pritje dhe energji pozitive. Po ashtu ne qeverisim në shtatë komuna me kryetarë komunash, ndërsa në 13 komuna tjera bashkëqeversim. Kjo na jep mbështetje edhe më të madhe. Edhe performanca e ministrave tanë na jep shumë besim, sepse ata kanë dhe dëshmuar se janë të jashtëzakonshëm edhe pse janë të rinj. Bartës të listës do ta kemi kandidatin për president. Besoj dhe jam optimist se nga këto zgjedhje do të dalim me rezultat dyshifror dhe ta kalojmë numrin mbi 20 deputetë. Lista e kandidatëve për deputetë do të jetë me njerëz të fuqishëm. Do të përfshihen të gjitha kategoritë dhe listën besoj se do ta përpilojmë brenda 10 ditësh”, ka thënë Haradinaj

Kategoritë
LajmeVendi