​Haradinaj: E rëndësishme të fillojë të zbatohet Ligji i Pagave

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka vizituar sot spitalin rajonal të Pejës, nga ku ka bërë thirrje që të hyjë në zbatim Ligji për Pagat.

Haradinaj ka falënderuar personelin shëndetësor për punën gjatë kësaj kohe kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.

Haradinaj: Shprehim mirënjohje për personelin mjekësor

“Sot kemi ardhur me shprehë një mirënjohje dhe falënderim për një punë vërtetë heroike që ka bërë i gjithë personeli mjekësor. Të gjithë ne në Kosovë ishim në njëfarë paqartësie dhe në një panik, por ishin këta që ishin në vijën e parë dhe ishin mburojë t’i shpëtojnë jetët e njerëzve tanë, të ruajnë qytetarin. I falënderojmë nga zemra dhe ndjejmë obligimin tonë ndaj këtij sektori jetik, jo veç tash, por gjithnjë”, theksoi ai.

Haradinaj përsëriti që të përmirësohen kushtet e përgjithshme të mjekëve, duke thënë që duhet filluar së zbatuar Ligji për Paga, ligj i cili po trajtohet ende nga Gjykata Kushtetuese.

Haradinaj: Të fillojë së zbatuari Ligji i Pagave

“Mendoj se është tepër me rëndësi të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave. Ai ligj mund të amandamentohet në të ardhmen, por duhet të fillojë së zbatuari që tani. Njëkohësisht kujdesi ndaj politikave kadrovike, pra dhënia e specializimeve me kohë i numrit të duhur të specializantëve, për shkak se ky sektor duhet të përtërihet gjithnjë. E pamë sa jetik është ky sektor gjatë kësaj kohe”, theksoi Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se ka edhe lidhje emocionale me Spitalin e Pejës, për shkak të përvojave gjatë luftës. Me shumë mjekë të këtij spitali, ai tha se janë shpëtuar shumë jetë të ushtarëve të plagosur.

Ndërsa, drejtori i spitalit të Pejës Skender Dreshaj, kërkoi mbështetje për shëndetësinë. Ai tha se gjatë kësaj kohe u pa se sa jetike është investimi në shëndetësi.

Dreshaj: Kemi qenë me të gjitha kapacitetet në shërbim të qytetarëve

“Spitali ynë ka arritur gjatë kësaj fazës së pandemisë që këtë situatë ta kalojë me vetëm dy personel të infektuar dhe ata që të dy jo të infektuar nga hapësirat e spitalit, që na ka mundësuar që ne të jemi me të gjitha kapacitetet e tona njerëzore në shërbim të qytetarëve, e vlerësojmë si një prej përgjegjësive tona kryesore. Po ashtu, kërkuam nga kryetari që përkrahja për shëndetësinë edhe në aspektin institucional, po edhe politik të jetë e vazhdueshme e sidomos në sektorin e kuadrove të reja, mjekëve specialistë, për faktin se resurset njerëzore u dëshmua edhe në këtë kohë që paraqesin resurse dhe kapitalin kryesor në luftimin e çfarëdo situate. Një përkrahje e tillë në këtë drejtim nuk ka kosto të madhe financiare kërkon një qëndrim politik i cili do të mundësonte që politika kadrovike të decentralizohet, në kuptimin që bartet në spitale në mënyrë që ne të arrijmë të sigurojmë kapacitetet njerëzore të nevojshme”, tha ai.

Kreu i AAK-së gjatë ditës ka vizituar edhe degën e IKSHPK-së në Pejë, si dhe ka takuar strukturat e partisë.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet