​Festimi i Kurban-Bajramit, Zemaj: Mbetet përgjegjësi e BIK-ut zbatimi i masave të reja anti-Covid-19

Për dallim prej ditës së djeshme, numri i të infektuarve me koronavirus është më i ulët, por ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka kërkuar nga qytetarët dhe institucionet përfshirë edhe Bashkësinë Islame të Kosovës që t’i respektojnë masat e reja të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Derisa Qeveria me masat reja ka marrë vendim që prej dje asnjë rit fetar të mos mbahet në ambientet publike, ministri Zemaj gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ka thënë se mbetet përgjegjësi e BIK-ut zbatimi i masave antiCovid-19 për faljen e namazit të Kurban Bajramit të premten.

Zemaj: Mbetet në përgjegjësinë e BIK-ut t’i zbatojë masat e Qeverisë

 

“Dje kanë hyrë në fuqi masat e reja, të cilat janë analizuar me ditë të tëra bashkërisht me rekomandimet që na jep Instituti Kombëtar I Shëndetit Publik. Kam një lutje shtesë për ju kur e adresoni çështjen (e faljes së namazit të Bajramit) duhet t’i ndajmë edhe përgjegjësitë, punët dhe detyrat. Ministria e Shëndetësisë, IKSHP-ja japin rekomandime, qeveria merr vendime kurse për punët e të tjera për organizime fetare iu takon krerëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ne as nuk ndalojmë dhe as nuk lejojmë falje të çfarë do riti fetar. Ata vendosin, ata i zbatojnë punët që i kanë qoftë sipas fesë së tyre. Ne kemi sjellë rekomandime, kemi sjellë vendime për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve të Kosovës. I kemi ndaluar të gjitha aktivitetet publike, private e familjare vetëm e vetëm që ta ulim numrin e të infektuarve”, tha Zemaj.

Ministri i Shëndetësisë derisa ka treguar se sot i kanë dorëzuar një autoambulancë si donacion nga BE-ja Spitalit Rajonal të Mitrovicës, është pyetur nga mediat se kur do ta vizitojë edhe spitalin në veri të Mitrovicës. Për këtë ministri Zemaj tha shkurt se një gjë e tillë do të bëhet shumë shpejt.

Zemaj: Do të bëjmë vizita edhe në veri

 

“Vizita ime në veri do të jetë shumë shpejt. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pavarësisht funksionit apo pozitës janë të obliguar t’i respektojnë vendimet e qeverisë dhe t’i zbatojnë masat antiCovid-19”, tha Zemaj.

Ministri Zemaj po ashtu ka thënë se krahas donacioneve janë të përkushtuar që të rrisin kapacitetet spitalore edhe në Mitrovicë.

Drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani ka apeluar te qytetarët dhe institucionet publike dhe private që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësira të mbyllura.

Ramadani: Të respektohen masat e ndërmarra për parandalimin e Covid-19

 

“Situata ditëve të fundit është me një numër të shtuar të rasteve, por që sot kemi pak lajme më të mira relativisht numri është i rritur, por në krahasim me ditët tjera ka një rënie të lehtë e që nuk është rënie e vazhdueshme, por është rënie ditore, e cila sikur të merren të gjitha masat me programin e IKSHP-së që janë miratuar nga Qeveria e Kosovës me siguri se do të korrim sukses, por deri atë herë iu kishim lutur masat e ndërmarra të realizohen në plotëni. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 449 mostra të marra nga SSHKUK dhe spitalet rajonale prej të cilëve rezultojnë 194 raste pozitive. Numri total i rasteve pozitive deri më sot arrin 7846, me gjithsej fatkeqësisht 196 raste të vdekjes deri më sot të cilët kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese”, tha Ramadani.

Ndërsa, brenda 24 orëve të fundit katër persona kanë vdekur e janë shënuar 194 raste të reja. Numri total i të vdekurve në Kosovë si pasojë e COVID-19 ka arritur në 196, ndërkohë shifra e përgjithshme e të infektuarve ka arritur në 7846

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet