​Familja katër anëtarëshe që jeton në mjerim, u infektuan me virus dhe nuk u ndihmoi askush

Shpresa për një të ardhme më të mirë duket shumë e largët, e mjerimi ua ka zënë frymën. Të papunë, në skamje e shëndet të ligë, familja katër anëtarëshe po kalon ditët e ftohta të dimrit. Ata u përballen edhe më virusin, i cili ua përkeqësoi edhe më shumë gjendjen e tyre shëndetësore. Ndihmë nuk patën nga askush, e keq mbetën edhe për barna.

Varfëria është ulur këmbëkryq në familjen Poroshtica që po jetojnë tash e sa kohë në kushte të rënda në Hajvali të Prishtinës.

Gjithë qoshet e shtëpisë i ka mbuluar myku, dyert e vjetra prej druri pothuajse janë të rrëzuara, ndërsa dhomat ku po rrinë janë shumë të ftohta. Në krejt këtë hapësirë kundërmon era e lagështisë së mureve.

I zoti i shtëpisë, Valboni, tregon se shumë herë kanë bërë natën edhe pa u ushqyer.

Dy kryefamiljarët kanë shumë ankesa për shëndetin e tyre, ndërkohë që Valboni shprehet për KosovaPress se gruaja e tij ka edhe probleme psikike.

 

“Gjendja familjare, të sëmurë të dytë, bile nganjëherë edhe grindesh, për çdo ditë tu u honger (grindet) me të, tu u perla me të. Tash duke qëndruar veç brenda, po e dëgjon edhe vet qysh po reagon. Dje e çova te një psikolog, tha që nuk është bash në rregull, por çka me bo duhet me duru”, rrëfen ai.

Sipas Valbonit, për vajzën më shumë po kujdesën të tjerët, për shkak të gjendjes jo të mirë të bashkëshortes së tij.

Shtatë vjeçares, varfëria ia ka vjedhur gëzimin e fëmijërisë. Ajo nuk është e kënaqur me kujdesin, madje shpesh i sheh prindërit tek grinden. Ndaj, pjesë të madhe të kohës kalon tek të afërmit.

 

“Te çika e mixhes ka shkuar tash, se nuk donë me ndejt. ‘Nuk dua të rrijë këtu -thotë- se ju po përlahi (grindeni)’. Se po më nervozon tash, edhe unë me problemet e mia edhe sëmundje. Edhe kjo po flet, edhe më keq po ma bën”, flet ai.

Në dhomën tjetër, të kësaj hapësire, që as shtëpi nuk është, po qëndron gjyshja mbi të 90-tat. Ajo në këto kohë të ftohta po fle në dysheme. Për të Valboni thotë se është e palëvizshme, dhe se se ka probleme me kujtesën.

Por, as vet Valboni nuk e ka gjendjen shëndetësore më të mirë. Deri vonë edhe kishte punuar, por që pas disa telasheve me shëndet, thotë se nuk është më i aftë për punë.

 

“Na jemi shumë keq, unë që dy herë, në 2008 jam operuar, tash më 27 shtator jam operuar për së dyti, por jam keq. Se e kam helikobakterien, plus më janë dëmtuar zorrët, mëlçinë edhe COVID-in tash e kam pasur para dhjetë ditëve e kam kaluar. Më ka dëmtuar shumë. Kushtet në ekstrem, veç kush na ndihmon ngapak, se nuk kem ka i marrim. Të ardhura shtetërore jo, veç populli kush na ndihmon”, thotë ai.

I zoti i shtëpisë tregon se ishin të infektuar me koronavirus së bashku me bashkëshorten, por që askush nuk i kishte ndihmuar gjatë kësaj kohe. Gjatë këtyre dhjetë muajve thirrja kryesore është për higjienë, por që gjendja e kësaj familje është larg apelit të institucioneve shtetërore.

 

“Më kanë thirrë prej shtabit emergjent, ju sjellim një pako ushqimore, nuk e sollën. As për të, as për mu. Veç kanë thënë ashtu edhe nuk na i kanë sjellë”, shton ai.

Poroshtica nuk po arrin të sigurojë as barnat për veten dhe bashkëshorten e tij.

“Barnat që i kam marrë në barnatore dhe injeksionet, m’i kanë falë aty në Emshir. Se shumë të shtrenjta, ju kam treguar si e kam gjendjen edhe nuk kam pasur mundësi me çka me i marrë. Tash ilaçet duhet me i përdorë çdo ditë për lukth sidomos, nuk kam me çka me i marrë”, shton ai.

37-vjecari së fundmi ka lënë edhe vendin e tij të punës, ku po siguronte së paku 200 euro në muaj. Ai tregon për KosovaPress se është keq me shëndet dhe nuk po arrin më të sigurojë as kafshatën e gojës për vajzën, gruan e gjyshen 95-vjecare.

“Vallahen vështirë shumë e kemi, këtu është keq shumë. Gruaja edhe mezi ec se nuk po do me fol, po mezi ec se boshtin kurrizor, se dy unaza i ka të thyera. Keq jem. Unë tërë ditën shtritë këtu, tash edhe sëmurë. Unë kam punuar para operimit tash para tre muajve. Tani më filluan dhimbjet nuk kam mundur të punoj. Nuk kam mundur të punoj. E kam lënë tash edhe jena keq. Ne jemi moti keq kështu, po pak me 200 euro ia kam dalë. Por tash kërkah hiç, shumë keq…(10:07) Ka ndodhë që kemi qëndruar edhe pa bukë”, thekson ai.

Ai tregon se së fundmi ka bërë kërkesë edhe për asistencë sociale, por që ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Valbonit nuk i kujtohet as që ka festë, madje edhe për festa të tjera presin nëse po ju ndihmon dikush.

“Kush ka mundësi, i lus të gjithë vëllezërit, motrat, qytetarët, kush ka mundësi për të më ndihmuar për hatër të Zotit, jo vetëm për këtë festë, se nuk po kërkoj vetëm për festë, po kërkoj vetëm për ndihmë shëndetësore. Kjo është kryesorja për mua, shëndeti. Se me pas shëndetin dua edhe të punoj. Jo me dal me lyp”, shprehet ai.

Ata po shpresojnë tek një e nesërme më e mirë. Valboni nuk resht së kërkuari ndihmë, e kërkesa kryesore është sigurimi i barnave.

Të gjithë vullnetmirët mund të kontaktojnë në numrin e redaksisë: 045-507-766. Dhe në numrin e kryefamiljarit Valbon Poroshtica: 045-466-044.

Kategoritë
LajmeVendi