​Dy ankesa ndaj vendimit të KQZ-së për verifikimin e votuesve jashtë Kosovës

Ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për verifikimin e aplikuesve për votim jashtë Kosovës, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) deri tani janë dorëzuar dy ankesa. Këtë e kanë bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe organizata Germin. Sipas kësaj të fundit, vendimi i KQZ-së, është jo-kushtetues dhe i njëjti duhet të hidhet poshtë në tërësi.

Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, pa asnjë kundërshtim nga anëtarët, është vendosur verifikimi i personave jashtë Kosovës që duan të votojnë të bëhet duke i telefonuar ata, dhe nëse të njëjtit nuk përgjigjen, aplikimi i tyre për votim refuzohet.

Si shkelje e të drejtës për të votuar e kanë konsideruar këtë vendim Lëvizja Vetëvendosje dhe organizata Germin, duke dorëzuar Ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

“Përfaqësuesit e LVV-së janë pajtuar që aplikimi për regjistrim të verifikohet vetëm për rastet me mospërputhje sipas procedurave, kur nga një email adresë dërgohen shumë aplikacione me mbiemra të ndryshëm dhe numër të njëjtë telefoni. Për zbatimin e vendimit KQZ duhet të hartojë një Udhëzim Administrativ, i cili rregullon mënyrën e hollësishme të verifikimit. Ai pritet të miratohet sot. Ky udhëzim duhet të përjashtojë çdo mundësi të largimit të votuesve nga lista e votimit përmes një telefonate. Me këtë udhëzim, Sekretariati i KQZ-së duhet të udhëzohet t’i raportojë KQZ-së për të gjitha rastet me mospërputhje veç e veç që janë verifikuar dhe për hapat e verifikimit të ndërmarrë. Ky udhëzim administrativ duhet të bëhet publik menjëherë pas aprovimit”, ka shkruar Lëvizja Vetëvendosje, pasi është ankuar në PZAP.

E Mulë Desku nga PZAP ka konfirmuar për KosovaPress se deri mesditën e së martës në këtë institucion janë dorëzuar vetëm dy ankesa, një nga Lëvizja Vetëvendosje dhe tjerra nga organizata Germin.

Sipas kësaj të fundit, vendimi duhet të hidhet poshtë në tërësi meqë i njëjti shkelë të drejtat themelore të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje.

Një prej udhëheqësve të organizatës, Lirim Krasniqi tha se vendimi i KQZ-së nuk jep arsyetime shtesë mbi proporcionalitetin e masës që është aplikuar për verifikimin e aplikuarve për regjistrim si votues jashtë Kosovës.

Krasniqi: Vendimi I KQZ-së duhet të hedhet poshtë

 

“Kemi dhënë argumente të mjaftueshme në ankesën që e kemi deponuar në PZAP, ka elemente të mjaftueshme për ta hedhur poshtë si vendim në tërësi për shkak se KQZ përveç se ka marrë një vendim që cenon të drejtat kushtetuese, gjithashtu nuk ka dhënë arsyetime shtesë për masën ose propercionaliteti ne këtyre masave karshi normave të tjera ligjore e po ashtu karshi normave të tjera kushtetues, kështu që ne besojmë që ka argumente të mjaftueshme për ta hedhur poshtë si vendim”, tha ai.

Sipas tij, legjislacioni aktual në fuqi ofron mundësi të mjaftueshme për verifikimin e identitetit të personave që janë jashtë Kosovës dhe aplikojnë për të votuar.

Krasniqi: Aplikuesit në diasporë nuk mund të dinë kur do t’i telefonojë KQZ dhe mund të humbin të drejtën e regjistrimit

 

“Telefonata e cila është vendosur si masë ose si mënyrë për të verifikuar identitetin e votuesve nuk është masë proporcionale për shkak se aplikuesit nuk mund ta dinë se kur mund ta pranojnë telefonatën për verifikim nga ana e KQZ-së dhe nëse ata u mohohet e drejta për të votuar pikërisht pse në momentin kur KQZ i ka telefonuar ata nuk ka qenë të qasshëm, sepse kanë qenë në punë ose janë dhjetëra arsye që mund të jenë të mundshme, atëherë ata e humbin të drejtën për të votuar”, tha ai.

“KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit, nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, thuhet ndër të tjera në vendimin e KQZ-së.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.

Kategoritë
LajmeVendi