​Dumoshi: Kujtimi për Bekim Fehmiun do të jetë i përhershëm

Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në 10 vjetorin e vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu, ka thënë se me talentin e tij të pashembullt në aktrim arriti të depërtojë në skenën ndërkombëtare të filmit.

“Unë si ministre dhe institucioni të cilin e udhëheq, e përkujtojmë dhe nderojmë figurën e Bekim Fehmiut dhe ndjehemi jashtëzakonisht keq që për shkak të rrethanave të pandemisë COVID-19, nuk mund ta shënojmë përvjetorin e tij të vdekjes ashtu siç e meriton Bekim Fehmiu me trashëgiminë që la pas. Organizimi i ndarjes së çmimit i cili është i përcaktuar me rregullore, do të bëhet në një formë tjetër ditëve në vijim”, ka shkruar ajo.

Komenti i plotë i ministres Dumoshi:

Sot bëhen dhjetë vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut, aktorit shqiptar me famë botërore, i cili la gjurmë në kinematografinë botërore e shqiptare. Bekimi me talentin e tij të pashembullt në aktrim arriti të depërtojë në skenën ndërkombëtare të filmit.

Numri i roleve në të cilët ka luajtur ai është shumë i madh. Në secilin rol që është angazhuar, Bekimi i ka dhënë vlerë të shtuar secilit film dhe përkushtimi e angazhimi me shpirt në secilin rol që ka jetësuar e kanë bërë të famshëm Bekimin, me të cilin jemi rritur, jemi gëzuar, jemi emocionuar e kemi qenë dhe do të jemi përherë krenar.

Mbeten të paharruara performancat e tij filmike në “Mbledhësit e Puplave”, “Odissea”, “Avanturieri” e shumë e shumë projekte të tjera që mbeten kryevepra të kinematografisë.

Unë si ministre dhe institucioni të cilin e udhëheq, e përkujtojmë dhe nderojmë figurën e Bekim Fehmiut dhe ndjehemi jashtëzakonisht keq që për shkak të rrethanave të pandemisë COVID-19, nuk mund ta shënojmë përvjetorin e tij të vdekjes ashtu siç e meriton Bekim Fehmiu me trashëgiminë që la pas. Organizimi i ndarjes së çmimit i cili është i përcaktuar me rregullore, do të bëhet në një formë tjetër ditëve në vijim.

Ne e kujtojmë me pietet dhe nuk do të harrojmë kurrë Bekim Fehmiun, në artist kaq të madh që popujt do ta ëndërronin ta kishin.

I paharruar do të jetë emri i tij dhe ne do ta kujtojmë, vlerësojmë dhe nderojmë gjithmonë figurën dhe emrin e të madhit Bekim Fehmiu.

Sinqerisht,

Vlora Dumoshi

Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet