​BQK vendos për likuidimin e “Iute Credit” dhe “Monego”

Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës, ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të iniciojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” dhe për institucionin financiar jobankar “Monego”.

Kështu u tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media në BQK, ku u theksua se këto institucione kanë aplikuar norma të interesit në kredi më të larta dhe jashtë çdo standardi.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se devijimi më i rëndësishëm dhe më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi, të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit ose në dokumentacionin e aplikimit për t’u regjistruar si institucione financiare në Kosovë, si dhe njëkohësisht një normë më të lartë të interesit nëse krahasohen edhe me normat mesatare të interesit në kredi, të institucioneve mikrofianaicare dhe institucioneve financiare jo bankare.

Mehmeti: Këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit

“Mbi këtë bazë, BQK-ja kishte licencuar edhe dy institucionet e lartpërmendura, të cilat në dokumentacionin përmes të cilit kishin aplikuar dhe në bazë të të cilit i ishte dhënë licenca për të operuar në Kosovë, kishin ofruar planet e tyre se si planifikojnë ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë. Sidoqoftë, gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë, këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin tregut”, deklaroi Mehmeti.

Ai tha se për këtë arsye, BQK vlerëson se këto institucione kanë dështuar t’i sjellin tregut tonë rezultatet e pritura dhe përkundrazi, me veprimtarinë e tyre kanë rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve.

Mehmeti: Normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi

“Normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi, prandaj BQK-ja në vazhdimësi është përpjekur që përmes masave të parapara administrative të shtyjë këto institucione që t’i adresojnë këto probleme, por ato nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të mosgatishmërisë së këtyre institucioneve për të ndërmarrë korrigjimet e nevojshme. Për këtë arsye, ne vlerësojmë se këto institucione kanë dështuar t’i sjellin tregut tonë rezultatet e pritura dhe përkundrazi, me veprimtarinë e tyre kanë rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe me këtë kanë paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar të vendit”, deklaroi Mehmeti.

Në fund u tha se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, është e përkushtuar që të krijojë kushte për rritjen e konkurrencës së shëndoshë në tregun tonë financiar, duke mundësuar një konkurrencë të drejtë ndërmjet institucioneve financiare të cilat sigurojnë rritje të qasjes në financa dhe përmirësim të kushteve të qasjes në financa, por nuk do të lejojë asnjëherë operimin e atyre institucioneve të cilat nuk zbatojnë kërkesat rregullative dhe ligjore të vendit, dhe të cilat shfrytëzojnë kushtet e vështira financiare në të cilat mund të gjendet një pjesë e popullsisë tonë, duke sjellë shërbime të cilat i varfërojnë edhe më tepër dhe e vështirojnë edhe më tepër jetën e tyre

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi

Të ngjajshmet