​Basha me të rinjtë: Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për ndryshim

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një bashkëbisedim me të rinjtë finalistë të Debatit Kombëtar të organizuar nga EDYN, Rrjeti i të Rinjve Evropianë për Demokraci.

Gjatë bisedës, theksi kryesor u vu tek rinia që sipas Bashës është motori kryesor i ndryshimit, që sot më shumë se kurrë kërkon shoqëria shqiptare.

“Fytyra e ndryshimit në Shqipëri ka qenë gjithmonë fytyra e rinisë. Dhe sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për ndryshim. Ndryshimi është një nevojë e brendshme e çdokujt, sot më shumë se kurrë, te djathtë dhe të majtë, demokratë dhe socialistë, e të gjithë të tjerët. Por ndryshimi nuk është abstrakt. Ka një domethënie për këdo. Ka domethënie të dhimbshme për ato familje që nuk sigurojnë dot ushqimin e përditshëm sot, apo nuk blejnë dot ilaçet për COVID-in. Ka një domethënie për ata si ju, që preokupoheni jo vetëm për të sotmen, po akoma më shumë për të nesërmen. Dhe me shumë kënaqësi dëgjova që disa prej temave që keni prekur, kanë të bëjnë pikërisht me mënyrën se si duhet të vijë ky ndryshim. Ndaj, është shumë e rëndësishme që brezi i ri të trajnohet, të dëgjojë edhe përmes përfaqësuesve të spikatur siç jeni ju, dhe të bëjë të vetën sensin e përgjegjësisë individuale dhe të përbashkët për familjet tona dhe për shoqërinë tonë”, u shpreh Basha.

Studentët finalistë të debatit sollën disa argumente mbi çështjet kryesore që janë sot shqetësimi i rinisë dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Ata i treguan kreut të PD edhe çështjet e debatuara, ku një pikat më me interes ishte ajo e punësimit të të rinjve.

Kreu i opozitës teksa dëgjoi shqetësimet e të rinjve, u tregoi atyre planin e qeverisjes së ardhshme, veçanërisht pjesën për rininë.

“Në planin tonë, mundësitë e Shqipërisë janë që çdo vit 10 mijë më të mirët të përfitojnë një stazh 1 vjeçar me një pagesë prej 300 mijë lekë të vjetra në muaj, për të bërë urën nga bankat e shkollës tek tregu i punës. Prioritet absolut në programin e Arsimit të lartë, është kthimi i arsimit të lartë në një platformë të lançimit të rinisë në tregun e punës”, theksoi Basha.

Kreu i PD-së tha se “për të gjitha familjet me të ardhurat nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj mund të financohet 100%, subvencionohet 100% tarifa, pra që mos paguajë tarifë as për bachelor as për master”.

Basha i ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e ndryshimit dhe të qëndrojnë në vendin e tyre.

“Nuk bëhet asgjë si vendi yt. Dhe çfarë vendi kemi! Tani është realisht në dorën tonë. Në fakt tani është realisht në dorën tuaj. Boll thamë e ardhmja. Tani është e sotmja. Dhe për këtë ju garantoj se unë do të bëj gjithçka që t’ju hap rrugë. Në kuptimin afatshkurtër sigurisht do të bëjmë gjithçka për ndryshimin dhe ndryshimi duhet patjetër të triumfojë më 25 Prill, sepse është aspiratë”, tha Basha

Kategoritë
LajmeRajoni