​Bajrami pret kalimin e rishikimit të buxhetit edhe në leximin e dytë

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami tha për KosovaPress se tashmë kanë marrë një ftesë Kuvendi i Kosovës, se nesër prej orës 11:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për rishikimin e buxhetit 2020 në lexim të dytë.

Bajrami ka ftuar të gjithë deputetët që ta votojnë rishikimin e buxhetit, i cili adreson menaxhimin dhe krizën e shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Ajo tha se pasi ligji të kalojë në Kuvend, ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi, ku presidenti i Kosovës ka tetë ditë afat për ratifikim, pas së cilës mund të fillojë ekzekutimi i masave nga pakoja emergjente fiskale.

Bajrami: Masat e pakos emergjente zbatohen, pas dekretimit të ligjit nga Zyra e Presidentit

“Sapo kemi marrë ftesën. Është seancë e jashtëzakonshme për shqyrtimin e rishikimit të projektbuxhetit në leximin e dytë. Seanca është nesër në orën 11:00… Secili ligj pasi të hyjë në Kuvend ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi. Presidenti i Kosovës ka shtatë ose tetë ditë afat për ratifikim, besoj për shkak të situatës do të kërkojmë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet me një afat më të shkurt… Janë gjëra në këtë moment që nuk varen nga ne, por varet nesër nga votimi në seancë dhe gjithashtu nga Zyra e Presidentit se kur ai do ta dekretojë dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare. Në momentin që kjo ndodhë, ne si ministri dhe thesari është i gatshëm të fillojë ekzekutimin e pagesave”, tha Bajrami.

Afati i publikimit në Gazetën Zyrtare është tetë ditë pune. Kështu që edhe në këtë javë nuk pritet të ketë zbatim të masave ose paga 170 euro për punëtorët.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar më 13 korrik në lexim të parë Projektligjin nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Pas miratimit të projektligjit në leximin e dytë dhe hyrjes së tij në fuqi, do të krijohet mundësia ligjore për ekzekutimin e pagesave të mbetura për të gjithë përfituesit nga pakoja emergjente fiskale të cilët janë në pritje dhe të gjitha ndarjeve tjera buxhetore.

Kategoritë
LajmeVendi