​5 marsi, dita kur nisi epoka e lirisë

Kuvendi i komunës së Skenderajt në bashkëpunim me kuvendin komunal të Drenasit, kanë mbajtur seancë solemne me rastin e 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Seanca filloi me një minutë heshtje në shenjë respekti për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci foli në emër të dy komunave ku edhe e kujtoi historinë e lavdishme të familjes Jashari si pikënisje e lirisë dhe çlirimit.

Lladrovci: Në këtë ditë filloi epoka e lirisë

“Në këtë ditë filloi një epokë, në këtë ditë do të formohet kalaja e pamposhtur e familjes Jashari ….para 22 vitesh komandanti ynë legjendar Adem Jashari do ta rihapë historinë e krenarisë kombëtare dhe do ta mbajë gjallë gjakun e shqiptarit të fjetur që nga epoka e Skënderbeut, aty në Prekaz do të fillojë epoka e çlirimit, ep oka e lirisë….. kjo epope do shënonte fillimin e fundit të çlirimit të vendit tonë”, tha Lladrovci.

Lladrovci shtoi se familja Jashari u bë sinonim i lirisë, kurse premtoi për punë që të realizojë idealet e heronjve.

Lladrovci: Zotohem të realizojmë idealet e qytetarëve tanë

“Sot me respekt të thellë i përkulemi para jetës dhe veprës së komandantit Adem Jashari, heronjve Shaban e Hamëz Jashari të cilët u bënë sinonim i fitimit të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tanë…..zotohemi para qytetarëve tanë se do të punojmë çdo ditë që të realizojmë idealet e heronjve tanë për shtet të pavarur dhe të drejtë, pushtet lokal me transparencë dhe llogaridhënie me tërë kapacitetet tona”, tha Lladrovci.

Ai shtoi se komuna e Drenasit dhe Skenderajt kanë bashkuar forcat për të ardhmen e bashkëvendëseve të tyre, pasi vendit i duhet unitet i brendshëm dhe i jashtëm.

Sipas tij, vendit e veçanërisht Drenicës i duhet sa më shumë vende të punës.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, pas përfundimit të seancës solemne, tha se aktivitetet për nder të Epopesë së UÇK-së do të vazhdojnë nga këshilli organizativ në nivel qendror.

Jashari shtoi se është obligim i tyre që t’i nderojnë të rënët e lirisë.

Jashari: Të punojmë që vendi ynë të ecë përpara

“Ne e kemi për obligim t’i kujtojmë, t’i nderojmë të gjithë ata që ranë që ne të jemi të lirë, por që njëkohësisht neve të marrim forcë, fuqi, vullnet për të punuar dhe vazhduar tutje që vendi ynë të ecë përpara, ashtu siç e dëshiruan ata”, tha Jashari

Në 22-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënà «ve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme

Të ngjajshmet