​ Shaban Arifaj promovon dy libra të rinj

Romani “Xarnaveli” dhe libri me tregime “Vaji i Skënderbeut” të autorit Shaban Arifaj janë promovuar sot në Institutin Albanologjik të Kosovës.

Këto dy libra që u promovuan sot i janë shtuar numrit të librave që ka shkruar deri më tani njëri ndër gazetarët më të shquar të Radio Televizionit të Kosovës.

Duke folur për romanin “Xarnaveli” recensentja Ilire Zajmi tha se Arifaj në vazhdimësi e ka sfiduar veten edhe në fushën e publicistikës ku me këtë roman ai paraqet sinonimin e së keqes, një histori trishtuese të njeriut që ende në botën sa reale aq edhe imagjinare.

“Intrigues që në titull ,paraqet sinonimin e së keqes ,shijen dhe pasojat e së cilës personazhi kryesor Vali pothuajse i përjeton në vazhdimësi gjatë tërë jetës së tij. Në këtë roman Arifaj ka arritur të skalis bukur historinë e personazhit të tij kryesor” , tha Zajmi.

Ndërsa recensenti i librit me tregime “Vaji i Skënderbeut” Gani Mehmetaj tha se lexuesit me këtë libër do të mjaftohen me informacionet e munguara, një rrëfim interesant ku ndërthuret realja me mos realen dhe konkretja me fantastiken.

“Ky libër paraqet gjendjen e sotme, të kaluarën e lavdishme por edhe peripecitë me të cilat ndeshemi. Libri ‘Vaji i Skënderbeut’ është mëdyshje morale dhe intelektuale”,tha Mehmetaj.

Ndërsa autori i librave që u promovuan sot tha se i gjithë rrëfimi që ka shprehur janë virtytet që paraqesin njeriun e keq.

Arifaj: Këtu kam paraqitur dy fjale sinonime që paraqesin njeriun e keq

Video “Në mesin e këtyre libra kam paraqitur dy fjalë sinonime që paraqesin njeriun e keq, njeriun dashakeq, njeriun që bënë keq, e që sillet keq sepse Vali me Marinë në Belgjikë ishin dy të dashuruar, kur kthehet në Kosovë martohet me një grua tjetër sepse Maria humb jetën tragjikisht, takohet dhe vazhdon jetën me Lalushen”, tha Arifaj.

Gazetari dhe publicisti Shaban Arifaj është autor i shkrimeve të ndryshme gazetareske si “Eklipsi në mesditë, “Dialogu me fqinjin” dhe “Harmonia në temperaturën minimale”.

Ai po ashtu ka shkruar edhe librin “Kosova në udhëkryqet Ballkanike” Arifaj ka lindur në Istog më 1952. Ka kryer shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje, ndërsa studimet i kreu në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filologjik, degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, si dhe në shkollën për gazetari ‘Faik Konica’.

Arifaj filloi të punojë si gazetar më 1975, fillimisht si spiker, e më pas si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP), Radio Televizionin e Shqipërisë (RTSH), dhe në Radio Televizionin e Kosovës./kp/

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet