Diaspora dërgoi 8,5 miliardë euro remitenca në vendet e rajonit

Gjatë vitit 2020, diaspora ka dërguar 1,27 miliard euro në Shqipëri; 1,25 miliard euro në Kosovë dhe 361 milionë euro në Maqedoninë e Veriut.

Të dhënat e Zyrës së Statistikave të BE-së (Eurostat) tregojnë se në vitin 2020, nga vendet e Bashkimit Evropian janë dërguar mbi 8,5 miliardë euro drejt shteteve të Ballkanit.

Gjatë vitit 2020, diaspora ka dërguar 361 milionë euro në Maqedoninë e Veriut, që është 3,4 për qind nga Prodhimi Bruto i Brendshëm (PBB) i vendit. Kjo është vlera më e ulët nëse krahasohet me të dhënat e vendeve të rajonit.

Nga rajoni, remitencat nga jashtë janë më të mëdha në Serbi dhe arrijnë në rreth 3,37 miliardë euro, që është 7,2 për qind e PBB-së së vendit.

Pas Serbisë, diaspora nga BE dërgoi më shumë para në Bosnje e Hercegovinë – 1,63 miliard euro (9,3 për qind të PBB-së), e ndjekur nga Shqipëria – 1,27 miliard euro (9,8 për qind të PBB-së), Kosova – 1,25 miliard euro (18,5 për qind të PBB-së) dhe Mali i Zi – 524 milionë euro (12,5 për qind të PBB-së).

Brenda BE-së, sipas të dhënave të Eurostat, varësinë më të madhe nga remitencat nga jashtë në vitin 2020 e kishte Kroacia – 7,3 për qind të PBB-së; Letonia – 3,2 për qind të PBB-së dhe Rumania – 3,1 për qind.

Të dhënat e Eurostat-it tregojnë gjithashtu se në vitin 2020 fluksi i parave të dërguara nga rezidentët e BE-së drejt vendeve jashtë BE-së si remitenca arriti në 34,1 miliardë euro, një rritje prej 3 për qind krahasuar me 33,2 miliardë euro në 2019-ën.

Shuma e parave të hyra në BE në vitin 2020 është 12 miliardë euro. Kjo është një rënie prej 6 për qind, krahasuar me 12,8 miliardë euro në vitin 2019.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreRajoniVendi